

Tiranë, 5 nëntor 2026 – Partia Demokratike ka kërkuar thirrjen me urgjencë të drejtueses së Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, për të raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Median lidhur me masat ndëshkuese ndaj emisioneve televizive ku, sipas opozitës, bëhen komente fyese ndaj kryeministrit Edi Rama.
Kërkesa është bërë publike nga deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila ka bërë të ditur se së bashku me kolegë të opozitës ka firmosur nismën për thirrjen e drejtueses së AMA-s në komision.
Në reagimin e saj për mediat, Tabaku e ka cilësuar fushatën e gjobave si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj mediave dhe zërave kritikë ndaj qeverisë. Sipas saj, veprimet e AMA-s cenojnë pavarësinë e institucionit dhe lirinë e shprehjes.
Deputetja pretendon se masat ndaj televizioneve janë pjesë e një klime më të gjerë presioni ndaj protestuesve dhe kritikëve të qeverisë. Ajo e ka akuzuar kryeministrin Rama se po përdor institucionet për të frenuar qëndrimet kundërshtuese.
Tabaku ka kërkuar që drejtuesja e AMA-s të japë shpjegime konkrete për bazën ligjore të vendimmarrjes dhe kriteret mbi të cilat janë ndërmarrë masat ndëshkuese.
“Një institucion që duhet të garantojë zbatimin e ligjit dhe të respektojë lirinë e shprehjes nuk mund të kthehet në kamzhik politik ndaj mediave dhe zërave kritikë”, është shprehur Tabaku.
Ajo ka theksuar se AMA duhet të sqarojë se kush orienton vendimmarrjen e institucionit, mbi çfarë baze ligjore vepron dhe nëse veprimtaria e tij i shërben interesit publik apo pushtetit.
Partia Demokratike kërkon që çështja të trajtohet në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Median, ndërsa mbetet për t’u parë nëse dhe kur drejtuesja e AMA-s do të thirret për raportim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






