Transmetuar më 05-11-2026, 16:55

New York, 5 nëntor 2026 – Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një zjarri masiv që përfshiu një ndërtesë banimi në lagjen Brooklyn të New York-ut.

Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në zonën pranë Sunset Park, ndërsa alarmi për flakët u dha rreth orës 01:40 me orën lokale. Në vendngjarje u angazhuan më shumë se 230 zjarrfikës dhe punonjës të shërbimeve të emergjencës.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të New York-ut (FDNY), kur ekipet mbërritën, konstatuan se flakët kishin përfshirë katin e parë dhe të dytë të ndërtesës.

Katër persona u gjetën pa shenja jete në vendngjarje. Ndërkohë, një burrë dhe një grua u transportuan në spital, ku më pas u konfirmua vdekja e tyre, bëri të ditur Departamenti i Policisë së New York-ut.

Nga zjarri mbetën të plagosur edhe gjashtë civilë të tjerë, dy prej të cilëve ndodhen në spital në gjendje kritike. Lëndime pësuan gjithashtu tre zjarrfikës.

Në operacionin e emergjencës mori pjesë edhe një njësi e specializuar për materialet e rrezikshme, për shkak të pranisë së një baterie litium-jon në ndërtesë. Megjithatë, autoritetet nuk kanë sqaruar ende nëse bateria ka pasur lidhje me rënien e zjarrit.

Kryebashkiaku i New York-ut, Zoran Mamdani, reagoi pas ngjarjes duke shprehur dhimbjen për viktimat. Ai u bëri thirrje banorëve të qytetit që të solidarizohen me familjet e prekura dhe të urojnë shërim të plotë për të plagosurit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit