Transmetuar më 05-11-2026, 16:33

Tiranë, 5 nëntor 2026 – Komisioni Europian ka evidentuar një sërë problematikash në sistemin e sigurisë ushqimore në Shqipëri, duke vënë në dukje mangësi në funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), kontrollin e produkteve ushqimore, monitorimin e pesticideve dhe kapacitetet laboratorike.

Në raportin e progresit për vitin 2026, në kapitullin 12 që mbulon sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, Komisioni thekson se legjislacioni shqiptar është ende vetëm pjesërisht i përafruar me standardet e Bashkimit Europian. Një shqetësim tjetër lidhet me rrezikun e korrupsionit në proceset e inspektimit dhe certifikimit, për të cilat kërkohet më shumë transparencë dhe llogaridhënie.

Sipas raportit, kuadri ligjor për sigurinë e përgjithshme ushqimore nuk është harmonizuar plotësisht me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Ushqimin. Ndërkohë, Ligji për Kontrollet Zyrtare u miratua në qershor të vitit 2026.

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga Komisioni Europian është riorganizimi institucional i strukturave përgjegjëse për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve. Raporti vlerëson se është e nevojshme të shqyrtohet bashkimi i AKU-së me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe të përcaktohen më qartë kompetencat e inspektimit ndërmjet këtyre institucioneve dhe Inspektoratit të Përgjithshëm.

Po ashtu, kërkohet përmirësimi i statistikave të inspektimeve, administrimit të të dhënave dhe transparencës, si dhe sigurimi i burimeve të nevojshme njerëzore, administrative dhe financiare për zbatimin e kontrolleve zyrtare.

Probleme me laboratorët dhe analizat ushqimore

Shqetësime të veçanta ngrihen për kapacitetet laboratorike që kryejnë analizat e produkteve ushqimore. Sipas Komisionit Europian, laboratorët zyrtarë ende nuk janë përcaktuar plotësisht në përputhje me parimet e rregullores së BE-së për kontrollet zyrtare.

Raporti nënvizon nevojën për vendosjen e metodave të validuara të analizimit, në mënyrë që rezultatet të jenë të besueshme. Për këtë arsye, kërkohet investim në zhvillimin e kapaciteteve, akreditimin e laboratorëve dhe standardizimin e metodave të përdorura.

Komisioni kërkon gjithashtu forcimin e kontrolleve në kufi, duke theksuar se pikat aktive të kontrollit kufitar duhet të përshtaten me kërkesat europiane përpara anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Alarm për pesticidet dhe cilësinë e qumështit

Një tjetër problematikë e evidentuar lidhet me mbetjet e pesticideve në produktet ushqimore. Sipas raportit, Shqipëria duhet të përmirësojë zbatimin e masave që merren kur konstatohen produkte që nuk përmbushin standardet, si dhe të rrisë transparencën në këtë proces.

Në të njëjtën kohë, kërkohet përmirësimi i monitorimit të mbetjeve të pesticideve dhe hartimi i një programi kombëtar për rritjen e cilësisë së qumështit.

Komisioni vëren se nuk është raportuar përparim në përafrimin me rregullat specifike për ushqimin e kafshëve, ndërsa thekson se në këtë fushë mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Mangësi edhe në sektorin veterinar

Raporti evidenton probleme edhe në sistemin veterinar, veçanërisht në gjurmueshmërinë e kafshëve, mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe kapacitetet laboratorike për identifikimin e patogjenëve të caktuar.

Sipas Komisionit Europian, këto mangësi kufizojnë aftësinë e institucioneve për të identifikuar në kohë tendencat e rrezikut, për të përcaktuar prioritetet e kontrolleve dhe për të dokumentuar progresin.

Një tjetër detyrim që mbetet për t’u përmbushur është ngritja e një sistemi në përputhje me standardet e BE-së për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Kërkohet më shumë transparencë për të parandaluar korrupsionin

Në përfundimet e tij, Komisioni Europian i kushton vëmendje edhe rrezikut të korrupsionit në inspektimet veterinare dhe fitosanitare. Raporti kërkon masa më të forta për garantimin e integritetit të proceseve të inspektimit dhe certifikimit.

Megjithëse Strategjia Kombëtare Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit synon të forcojë llogaridhënien dhe qeverisjen etike, Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale.

Në mënyrë të veçantë, theksohet nevoja për masa parandaluese ndaj rreziqeve të korrupsionit në kontrollet veterinare dhe fitosanitare, ku integriteti i procedurave është thelbësor për garantimin e sigurisë së produkteve ushqimore që mbërrijnë te konsumatorët.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit