Transmetuar më 05-11-2026, 16:30

Tiranë, 5 nëntor 2026 – Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet e radhës për shkeljet e konstatuara në aktivitetet futbollistike. Në listën e ndëshkimeve janë përfshirë disa klube të Abissnet Superiore, mes tyre Elbasani, Tirana dhe Dinamo City, ndërsa masa më e rëndë është dhënë për një zyrtar të KF Shirokës.

AF Elbasani është dënuar me 50 mijë lekë gjobë për sjelljen e gabuar të tifozëve, të cilët kanë ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike gjatë ndeshjes. Ndërkohë, zyrtari i klubit, Klaudio Allkja, është pezulluar për katër ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të takimit.

Me të njëjtën masë disiplinore është ndëshkuar edhe Omer Bunjaku, zyrtar i KF Tiranës, i cili nuk do të mund të jetë në stolin e ekipit për katër ndeshjet e ardhshme.

Edhe Dinamo City është gjobitur me 50 mijë lekë për mosrespektimin e detyrimit për të nxjerrë përfaqësuesit e klubit në intervistat pas ndeshjes, në kundërshtim me rregulloren e aktivitetit.

Ndërkohë, KF Shiroka është dënuar me 300 mijë lekë gjobë për lejimin e hyrjes së personave të paautorizuar në fushën e lojës dhe mosgarantimin e sigurisë së zyrtarëve të takimit. Për zyrtarin e klubit, Ergi Axhami, është vendosur pezullimi për 15 ndeshje nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga FSHF-ja, pas sulmit ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Gjatë periudhës së pezullimit, atij i ndalohet edhe hyrja në stadiume.

Masa financiare janë marrë edhe ndaj KF Këlcyrës dhe KF Butrintit, të cilat janë dënuar secila me nga 300 mijë lekë gjobë për hedhjen e sendeve në fushën e lojës nga spektatorët dhe rrezikimin e sigurisë së zyrtarëve. Të dy klubet janë paralajmëruar se përsëritja e shkeljeve mund të sjellë ndëshkime më të rënda.

Vendimet e Komisionit kanë prekur gjithashtu edhe futbollin e moshave. FC Kinostudio U-14 dhe KF Tirana U-14 janë dënuar me nga 100 mijë lekë gjobë dhe humbjen e ndeshjeve në tavolinë me rezultatin 3-0, pas braktisjes së takimeve përkatëse.

Një pezullim prej tre muajsh është dhënë edhe për Inker Kurtin, zyrtarin e KF Tiranës U-14, për shkelje të parimeve të fair-play dhe tërheqjen e ekipit nga loja. Ndërsa disa lojtarë dhe zyrtarë të ekipeve të moshave janë ndëshkuar me pezullime nga dy deri në katër ndeshje.

Në përfundim, Komisioni ka rrëzuar edhe disa kërkesa të paraqitura nga lojtarë dhe zyrtarë klubesh, duke i vlerësuar ato të pabazuara në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit