

Tiranë, 5 nëntor 2026 – Një valë kërcënimesh për vendosjen e bombave në avionët e pasagjerëve ka ngritur alarmin në disa vende europiane, duke detyruar autoritetet të marrin masa të shtuara sigurie. Disa fluturime komerciale janë devijuar nga itinerari, kanë kryer ulje të paplanifikuara ose janë shoqëruar nga avionë ushtarakë.
Sipas raportimeve, incidente të tilla janë regjistruar në Francë, Itali, Belgjikë, Bullgari dhe Greqi. Në disa raste, avionët janë detyruar të ndryshojnë destinacionin, ndërsa në të tjera kanë vijuar fluturimin nën masa të posaçme sigurie.
Një nga rastet më të fundit përfshiu një avion të kompanisë Aer Lingus, tip Airbus A320, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës. Pas një alarmi për kërcënim me bombë, avioni u devijua drejt bazës ajrore Évreux në Francë.
Zyra e kryeministrit francez bëri të ditur se situata po monitorohej nga afër, ndërsa autoritetet po ndiqnin procedurat përkatëse të sigurisë. Fluturimi EI402 ishte nisur nga Dublini në orën 06:23 dhe kishte si destinacion aeroportin Fiumicino të Romës.
Edhe Greqia është përfshirë në këtë valë alarmesh. Dy avionë të kompanisë Aegean Airlines, njëri në linjën Athinë-Vjenë dhe tjetri Selanik-Milano, u vunë në gatishmëri pas telefonatave që paralajmëronin për praninë e bombave në bord.
Pavarësisht kërcënimeve, të dy avionët vijuan fluturimet dhe u ulën në mënyrë të sigurt në destinacionet përkatëse. Pas uljes, pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazheve u evakuuan, ndërsa ekipet e specializuara kryen kontrolle për të verifikuar praninë e mundshme të lëndëve shpërthyese.
Shtrirja e incidenteve ka shtuar shqetësimin e autoriteteve europiane. Vetëm të martën, sipas raportimeve, të paktën shtatë avionë dhe një anije turistike në pronësi të një kompanie greke u përballën me alarme për bomba.
Deri tani, kontrollet e kryera nuk kanë evidentuar sende apo lëndë të dyshimta. Autoritetet po hetojnë nëse kërcënimet kanë një burim të përbashkët dhe nëse bëhet fjalë për një fushatë të koordinuar.
Ndërkohë, në mediat vendase janë ngritur dyshime për përfshirje të mundshme të aktorëve kibernetikë nga Rusia dhe Irani, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për përgjegjësinë e tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






