Transmetuar më 05-11-2026, 15:59

Tiranë, 5 nëntor 2026 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënimin me burg për dy të pandehurit e akuzuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e Ervis Martinajt, i zhdukur prej disa vitesh, dhe Erigers Mihasit, i ekzekutuar në një atentat.

Në pretencën e paraqitur në gjykatë, SPAK ka kërkuar 10 vite burg për Leonard Dukën, i njohur me nofkën “Princi Damian”, dhe 6 vite burg për Drianto Bardhin.

Sipas pretencës së SPAK, Leonard Duka dhe Drianto Bardhi akuzohen se kanë siguruar kushtet për vrasjen e Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur, dhe Erigers Mihasit, i cili u vra në një atentat.

Çështja është pjesë e një fraksioni të dosjes së njohur si “Revanshi”, në të cilën hetuesit kanë zbardhur mijëra komunikime të zhvilluara përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC.

Leonard Duka është përmendur më herët si drejtues i një grupi kriminal të përfshirë në ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko, i njohur si një person i afërt me Ervis Martinajn. Për këtë ngjarje, Duka është dënuar më parë me 30 vite burg.

Kërkesat e SPAK për dënimin e dy të pandehurve tashmë pritet të shqyrtohen nga gjykata, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të tyre.

Ervis Martinaj dyshohet se është rrëmbyer, vrarë dhe zhdukur. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tij. Erigers Mihasi është ekzekutuar në një atentat në muajin nëntor të vitit 2021 në zonën e Astirit në Tiranë.

Erigers Mihasi, njihet si një personazh i rrezikshëm dhe me shumë lidhje në botën e krimit. 32-vjeçari i vrarë njihet si mik i ngushtë i Ervis Martinajt dhe i ish-policit të ekzekutuar në gusht 2019, Santiago Malko.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit