

Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp që pati sot foli dhe për përplasjet me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Për Ramën, ato që ka thënë Veliaj janë si "zhurmat e makinave që shkojnë e vinë nëpër bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju."
Ai mori këtë pyetje nga salla me gazetarë: "Kryeministër duke përdorur fjalët tuaja ‘’yjet vijojnë të jenë të rreshtuara mirë për Shqipërinë”, por për qeverinë tuaj situata është pak më komplekse, pasi prej javësh, ju po përballemi me një protestë ku kërkohet dorëheqja juaj. Kësaj proteste i është bashkuar dhe një luftë e hapur brenda familjes suaj politike, ku kryebashkiaku i Tiranës, nga qelia e paraburgimit ju akuzon ju në mënyrë të drejtpërdrejtë që e keni kërcënuar për internim, i keni kërkuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë dhe të gjitha këto i keni bërë nëpërmjet ministrit të Drejtësisë. Me lejoni të jem e drejtpërdrejtë: a e keni kërcënuar ju zotin Veliaj dhe a mendoni që Veliaj është pas protestave?"
Rama pati këtë përgjigje: "Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë siç e kam thënë dhe më parë, çdo ditë dhe kur them çdo ditë, çdo ditë me pikërisht, këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur këtu sot në këtë konferencë të posaçme shtypi, objektivi historik i bashkimit përfundimtar të vendit tonë me Europën dhe moslejimi i humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me jashtëzakonisht shumë punë, por dhe që është ndihmuar nga ai që unë e quaj dhe ju e cituat “rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë dhe të shqiptarëve’’. Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vinë nëpër bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju.
Në këtë kuadër ai u ndal sërish me gjuhë të ashpër për protestat kur u shpreh për arenë korbash e sorrash:
"Janë dy realitete që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët njëri me tjetrin, pavarësisht përpjekjes për t’i bashkuar në funksion të një agjende që nuk është agjenda e BE, nuk është agjenda e qeverisë dhe e shumicës qeverisëse. Është agjenda e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë. Për sa i takon pastaj mobilizimit të madh, unë e kam thënë vetë dhe kam bërë vetë dallimin midis protestave masive të fillim qershorit dhe degradimit më pas të bulevardit në një arenë “sorrash dhe korbash”, që nuk kishte se si të mos sillte tek dhuna sepse ishte e dhunshme, dhe pa qenë me gurë dhe me molotov në dorë kur parullë kishte “s”ka dialog, jep dorëheqjen”. Legjitime në demokraci që dikush ta mendojë kështu, totalisht ilegjitime të përdoret guri dhe zjarri në funksion të këtij mendimi, ndërkohë që në funksion të protestave masive ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për të adresuar ato që i kemi lexuar si arsye të mobilizimit qytetar".
Rama lëshoi dhe një tjetër paralajmërim se nuk ka ndërmend ta lërë kryeministrinë kur tha:
"Në asnjë rast, dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratisht dhe në kontratë me popullin nuk imponohet nga rruga…
…Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe mbi rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim. Përkundrazi, do ta marrë përgjigjen hap pas hapi ligjërisht, siç po e marrin një nga një edhe penalisht edhe administrativisht. Edhe ata që ngrenë dorën kundër Policisë dhe kundër shtetit, edhe ata që bllokojnë rrugët se ashtu ju vjen atyre dhe ndërkohë nuk duan të dinë për mijëra e dhjetëra-mijëra të tjerë që janë në qytetin e tyre, janë në të drejtën e tyre të lëvizin lirisht në këtë qytet dhe janë në lirinë e tyre që të bëjnë atë që duan, të thonë atë që duan, të mendojnë atë që duan dhe të shkojnë aty ku duan." /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






