

RIO DE JANEIRO — Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në futbollin brazilian, ku arbitri i ndeshjes ka nxjerrë 53 kartonë të kuq gjatë një takimi të kampionatit të të rinjve pas një përleshjeje masive mes lojtarëve dhe stafit të dy skuadrave.
Incidenti i rëndë ndodhi gjatë ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kampionatit të Minas Gerais për grupmoshën U-20, ku përballeshin skuadrat e Uberlandias dhe Mamores. Pas incidenteve në fushë, kryesori i takimit përjashtoi nga loja 43 futbollistë, tetë pjesëtarë të stafit teknik dhe dy drejtues zyrtarë të klubit Uberlandia.
Sipas raportit zyrtar të arbitrit Fernando Patrick Drosghic Modesto, përplasjet nisën gjatë pjesës së dytë, kur futbollisti i Mamores, Davi, provokoi stolin kundërshtar gjatë festimit të golit të avantazhit 3-1. Ndërhyrja e trajnerit të portierëve të Uberlandias, Paulo Sergio Dias dos Santos, i cili hyri në fushë për t’u përballur me lojtarin, ndezi përleshjen masive mes dy ekipeve, ndërkohë që tre futbollistë ishin ndëshkuar me karton të kuq më herët gjatë lojës.
Për shkak të përshkallëzimit të dhunës në stadiumin "Parque do Sabia", u kërkua ndërhyrja e policisë ushtarake. Media braziliane “O Tempo” raportoi për dëme të shumta materiale në ambientet e stadiumit, përfshirë 14 dyer të thyera, shkatërrim të dusheve, xhamave, si dhe dëmtim të stolave dhe karrigeve.
Ndeshja u ndërpre për rreth 40 minuta përpara se arbitri të vendoste braktisjen përfundimtare të takimit për mungesë sigurie, duke shpjeguar në raport se kaosi e bëri të pamundur nxjerrjen fizike të kartonëve në fushë.
Pas ngjarjes, klubi i Uberlandias njoftoi se do të tërhiqet nga ndeshja e kthimit, me arsyetimin se kundërshtarët e Mamores kishin mbetur me vetëm shtatë futbollistë në dispozicion për shkak të përjashtimeve masive. Klubi e cilësoi këtë vendim si një gjest të lojës së ndershme, duke ia lënë Mamores kalimin në finale, ndërsa bëri me dije se ka marrë masa disiplinore të brendshme ndaj pjesëtarëve të përfshirë në incident.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






