

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas publikimit të Progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke deklaruar se gjetjet e dokumentit dëshmojnë dështimin e qeverisjes dhe mungesën e perspektivës evropiane nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë deklaratës së tij për mediat, Berisha nënvizoi se raporti i BE-së nxjerr në pah shkeljet në procesin ligjvënës, cenimin e institucioneve të pavarura, përqendrimin e pushtetit dhe mungesën e kushteve të barabarta në proceset zgjedhore.
"Raporti denoncon ligjet mafioze, pa asnjë transparencë të eksponentëve socialistë mafiozë që i paraqesin direkt për miratim. Konkretisht, ja çfarë thotë. Projektligjet e paraqitur shpesh në çast nga deputetët e shumicës dëmtuan cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ, shpesh duke anashkaluar konsultimin publik. Urdhëroni si e përshkruan narko-parlamentin. Politizimi i emërimeve, rrëmbimi. E rrëmbeu Avokatin e Popullit. Shkeli një traditë të krijuar prej 25 vitesh. E votoi me votat e veta, thotë. Dhe të njëjtën gjë bëri edhe për zonjën Bunga. E kuptoni ju? Për shërbimet e shpifura që i ka bërë gjatë procesit të vetingut. Imagjinoni ju se çfarë besimi kanë këto dy institucione? Që të dy këta duhet të japin dorëheqjen që sot, por para tyre duhet të dorëhiqet Edi Rama. Me këtë raport, të ardhme evropiane nuk ka me Edi Ramën sepse ai është shkaku i të gjitha këtyre problemeve, një pjesë e të cilave nuk kanë qenë në raportin e kaluar. Komisioni ad hoc për reformën admiistrative, projekti u miratua me votat e shumicës dhe shkoi në drejtim të centralizimit, faktikisht hidhet poshtë ajo që është bërë. Në qoftë se një projekt për reformën administrative territoriale shkon drejt parimit të centralizimit, ky projekt është antikushtetues. Është në kundërshtim flagrant me konventat që ka firmosur Shqipëria me Këshillin e Evropës, dhe parimet evropiane të demokracisë lokale. Komisioni denoncon faktin që Komisionin e Integrimit të cilin në parlamentin e mëparshëm e kishte opozita, ia morën me votat e krimit, dhe pastaj bëjnë fjalë të ndahet përgjegjësia. Po këta janë një grusht, një organizatë kriminale, të cilët përpiqen të fshehin të gjithë aktivitetin e tyre mafioz kriminal në Shqipëri. Për zgjedhjet, e thashë. Garuesit nuk kishin fushë të barabartë. Ky është parimi më themelor i zgjedhjeve të quhen të drejta, se në fakt në terminologjinë ndërkombëtare nuk përdoret shumë fjalë e lira, por të drejta dhe në përputhje me parimet. Parimi bazë për zgjedhje të drejta janë kushtet e barabarta," tha Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






