Transmetuar më 05-11-2026, 13:21

DIBËR — Një ngjarje e rëndë me pasojë humbjen e jetës së një punonjësi është regjistruar ditën e sotme në fshatin Vasie të Kalasë së Dodës, ku një elektriçist ka ndërruar jetë gjatë kryerjes së detyrës.

Viktima është identifikuar si shtetasi Lulzim Shehu, rreth 60 vjeç, elektriçist i zonës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:45, teksa ai po punonte për ndërrimin dhe vendosjen e shtyllave elektrike.

Sipas të dhënave të para nga vendngjarja, sapo 60-vjeçari ka këputur telat e përcjellësve elektrikë, shtylla është rrëzuar duke e zënë poshtë e duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore. I dëmtuari u nxor nga vendi i incidentit dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në ambientet spitalore.

Trupi i pajetë i 60-vjeçarit është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Dibrës për ekzaminimet mjekoligjore. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po kryejnë të gjitha veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje tragjike.

Dibër/Informacion paraprak

Më datë 05.11.2026, rreth orës 11:45, në fshatin Vasie, Dibër, shtetasi L .Sh., rreth 60 vjeç, me profesion elektriçist, dyshohet se gjatë kryerjes së punimeve për vënien e një shtylle elektrike, është rrëzuar shtylla dhe për pasojë e ka zënë poshtë, ku si pasojë e dëmtimeve të marra, 60-vjeçari, ka ndërruar jetë në spital.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit