

ELBASAN — Ekspertët e Institutit të Ndërtimit kanë mbërritur në terren për të kryer vlerësimin teknik të pallatit në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, i cili u dëmtua rëndë një ditë më parë si pasojë e shpërthimit të gazit.
Pas këqyrjes së strukturës, ekspertët kanë deklaruar se godina është tejet e rrezikshme dhe plotësisht e pabanueshme, duke vendosur se ndërtesa duhet të shembet. Drejtoresha e Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa, u shpreh zyrtarisht se pallati do të demolohet plotësisht dhe do të rindërtohet nga e para për banorët.
Nga deflagracioni i fuqishëm, struktura e katërt e godinës u shemb duke rënë mbi katin e tretë dhe duke shkaktuar dëmtime të rënda kapilare në të gjithë ndërtesën. Si pasojë e ngjarjes humbën jetën 69-vjeçari Hamit Ibro dhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, si dhe morën asistencë mjekësore 10 banorë të tjerë.
Aktualisht, zonës i është vendosur një perimetër i rreptë sigurie nga forcat e policisë, ndërsa 15 familjet e evakuuara vazhdojnë të qëndrojnë të akomoduara në konvikte dhe te të afërmit e tyre deri në fillimin e procesit të demolimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






