

BULQIZË — Detaje tronditëse janë zbardhur nga vrasja e 61-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Gjon të Bulqizës, ku bashkëshortja e tij Sadete Fiku dhe i biri janë arrestuar nga policia nën akuzën e ekzekutimit të familjarit dhe inskenimit të ngjarjes si një sulm nga kafshët e egra.
Sipas të dhënave nga hetimet, 61-vjeçari është qëlluar pas shpine me pistoletë, me plumbin që i ka përshkuar trupin dhe ka dalë në gjoks, ndërsa ekspertët mjekoligjorë kanë konstatuar edhe një goditje të rëndë në kokë me sëpatë. Për të fshehur gjurmët e krimit, bashkëshortja dhe i biri i kanë ndërruar rrobat viktimës, ndërsa i biri i ka prerë veshjet e përgjakura me gërshërë duke i hedhur në tualetin e banesës, ku më pas u sekuestruan nga policia.
Pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit, familjarët e transportuan trupin në spitalin e Bulqizës duke pretenduar se 61-vjeçari ishte sulmuar nga një ari dhe kërkuan tërheqjen e menjëhershme të trupit për ceremoni mortore. Njoftimi i policisë nga mjekët solli dërgimin e trupit në Tiranë për autopsi, ku u zbulua plaga e armës së zjarrit.
Gjatë marrjes në pyetje, bashkëshortja Sadete Fiku ka pranuar se motivi i krimit lidhej me xhelozinë dhe dyshimet për një lidhje jashtëmartesore të 61-vjeçarit. Ajo deklaroi se e kishte fshehur fillimisht armën e zjarrit, e cila më pas u zhvendos nga i biri në një vend tjetër.
Pistoleta e përdorur në krim u gjet dhe u sekuestrua pasi vendndodhja e saj u tregoua nga i biri i viktimës. Ndaj Sadete Fikut dhe djalit të saj tashmë rëndojnë akuzat penale për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






