

TIRANË — Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Eksponenti”, duke vënë në pranga 49-vjeçarin Eduart Dushku, i njohur si “i forti i Saukut”, i cili u kap në flagrancë duke transportuar një armë zjarri me motomjet.
Strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndaluan për kontroll motomjetin me të cilin lëvizte 49-vjeçari në Rrugën e Elbasanit. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e policisë i gjetën dhe i sekuestruan një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, me të cilën dyshohet se po kryente trafikim.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia ushtroi kontroll edhe në banesën e të arrestuarit, ku u gjet dhe u sekuestrua një jelek antiplumb. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u morën motomjeti dhe telefoni celular i 49-vjeçarit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, Eduart Dushku është një person me precedentë të theksuar kriminalë në fushat e krimeve kundër jetës dhe mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë:
Arrestohet në Rrugën e Elbasanit, duke transportuar armë zjarri, me motomjet, një 49-vjeçar me precedent të theksuar për krime kundër jetës dhe për armëmbajtje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, jeleku antiplumb që i arrestuari kishte në banesë, si dhe motomjeti dhe celulari i tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, finalizuan operacionin e koduar “Eksponenti”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Motomjeti me të cilin lëvizte ky shtetas, u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit. Gjatë kontrollit në të, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën dyshohet se shtetasi E. D. do ta trafikonte.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet 1 jelek antiplumb.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






