

ELBASAN — Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura kanë gjetur nën rrënojat e pallatit 5-katësh në lagjen “Beqir Dardha” trupin e pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibro, duke çuar në dy numrin e viktimave nga shpërthimi i fuqishëm që tronditi qytetin e Elbasanit.
I moshuari rezultonte i zhdukur që prej momentit të ngjarjes, ndërsa forcat e emergjencës punuan për orë të tëra nën rrënoja deri në nxjerrjen e trupit të tij. Nga shpërthimi i ditës së mërkurë humbi jetën edhe një 82-vjeçare e cila banonte në apartamentin ngjitur, ndërsa 10 persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në spital si pasojë e asfiksisë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Deflagracioni i fuqishëm shkaktoi dëme të rënda strukturore, ku muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit u shembën plotësisht, duke bërë që tre kate të godinës të bashkohen në një. Objekti është shpallur zyrtarisht i pabanueshëm dhe të gjithë banorët janë evakuuar nga autoritetet me qëllim sistemimin e tyre në strehime të sigurta.
Drejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Kastriot Skënderaj, i pyetur nga gazetarët mbi shkaqet e ngjarjes, deklaroi se rasti ndodhet nën hetim intensiv nga ekspertët teknikë.
Ai sqaroi se aktualisht dyshohet për shpërthimin e një bombole gazi, pasi në vendngjarje është ndier erë e fortë gazi pas shpërthimit si dhe në hapësirën e garazhit është gjetur një bombol gazi, me hetuesit që prasin ekspertizën përfundimtare për përcaktimin e saktë të shkakut.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






