

Detaje të reja me peshë hetimore kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Urim Fikut, ngjarje e rëndë e shënuar mëngjesin e sotëm në Bulqizë. Policia e Shtetit ka sekuestruar në banesën ku ndodhi krimi pajisjen e regjistrimit DVR, e cila ishte e lidhur me tre kamera sigurie të instaluara në ambientet e shtëpisë.
Gjatë këqyrjes fillestare nga specialistët, në pajisje nuk është gjetur asnjë pamje filmike. Dyshohet se autori i mundshëm i krimit, djali i viktimës, 33-vjeçari Gazmir Fiku, i ka fshirë regjistrimet direkt përmes një aplikacioni në telefonin e tij celular. Për këtë arsye, Policia e Dibrës i ka dërguar pajisjet për ekspertim kompjuterik me qëllim rikuperimin e pamjeve që mund të bardhin me detaje ngjarjen.
Sipas hetimeve paraprake, krimi i rëndë dyshohet të ketë ardhur si pasojë e xhelozisë familjare lidhur me një marrëdhënie sentimentale të 61-vjeçarit Urim Fiku. Përveç djalit të viktimës — i cili punonte prej më shumë se një dekade si supervizor pranë OSHEE-së — në pranga ka rënë edhe bashkëshortja e viktimës, 57-vjeçarja Sadete Fiku.
Dy të arrestuarit tentuan fillimisht të fshihnin ngjarjen duke raportuar rremë se 61-vjeçari kishte ndërruar jetë si pasojë e sulmit dhe kafshimit nga një ari.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Dibrës: "Gazmir Fiku, djali i të ndjerit Urim Fiku dhe Sadete Fiku, gruaja e viktimës, u ndaluan pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse 61-vjeçarin."
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






