Transmetuar më 04-11-2026, 19:17

Veliaj sfidon Ramën nga burgu, “Nuk dorëzoj Bashkinë e Tiranës, as në Spaç të më çoni nuk më përkulni”, publikon përgjigjet përmes Gogut

Fier – Kryetari në mungesë i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar sonte ato që i cilësoi përgjigje ndaj tre kërkesave të bëra nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Kështu, përplasja mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryeministrit Edi Rama merr përmasa të reja. Nga paraburgimi i Fierit, Veliaj ka publikuar një reagim të gjatë, ku paraqet përgjigjet që pretendon se i ka dhënë ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, lidhur me tri kërkesa që, sipas tij, i janë përcjellë në emër të kreut të qeverisë.

Në një deklaratë me tone të ashpra, Veliaj refuzon të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, mohon kategorikisht të ketë organizuar apo financuar protesta dhe deklaron se nuk do të ndërpresë marrëdhënien me avokatin e tij, Plarent Ndreca.

Ai akuzon Ramën për përpjekje për ta izoluar dhe për t’i bërë presion përmes transferimit në burgun e Fierit, ndërsa këmbëngul se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që e konsideron të paligjshme.

Reagimi vjen pas takimit të zhvilluar më 30 tetor mes Veliajt dhe ministrit Gogu në paraburgimin e Fierit. Ministri e ka konfirmuar takimin, por ka mohuar se ka përcjellë mesazhe kërcënuese apo kërkesat që i atribuohen atij nga Veliaj.

“Më çoni edhe në Spaç, nuk përkulem dhe nuk shantazhohem”

Në pjesën e parë të reagimit, Veliaj ndalet te transferimi në burgun e Fierit dhe pretendimet për përfshirjen e tij në organizimin e protestave.

Kryebashkiaku thotë se nuk e fajëson personalisht Toni Gogun, të cilin vijon ta konsiderojë mik, por e cilëson të papranueshme atë që e përshkruan si ndërhyrje të kryeministrit në kushtet e paraburgimit.

Veliaj pretendon se Rama ka ndikuar në transferimin dhe izolimin e tij, përfshirë kufizimet që, sipas tij, kanë prekur kontaktet me familjen dhe trajtimin mjekësor.

Ai shkon më tej duke ngritur akuza se kryeministri mund të ketë ndërhyrë edhe në çështje të lidhura me prokurorët dhe akuzat ndaj tij. Këto pretendime nuk shoqërohen me prova të pavarura në deklaratën e publikuar.

Duke përdorur si simbol burgun famëkeq të Spaçit, Veliaj shprehet se as transferimet dhe as kërcënimet e pretenduara nuk do ta detyrojnë të ndryshojë qëndrim.

Mohon organizimin e protestave, “Si mund ta rrëzoj rendin kushtetues nga burgu?”

Një pjesë e konsiderueshme e deklaratës i kushtohet pretendimit se Veliaj mund të jetë përfshirë në organizimin ose financimin e protestave të grupimeve të njohura si “Flamingot” dhe studentët.

Kryebashkiaku i mohon këto pretendime dhe i konsideron të sajuara.

Ai kundërshton veçanërisht përmendjen e mundshme të veprave të rënda penale, përfshirë cenimin e rendit kushtetues, duke pyetur se si mund të organizonte veprime të tilla ndërsa ndodhet në paraburgim.

Veliaj kujton gjithashtu protestat e zhvilluara më parë përpara Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se, pavarësisht sulmeve me molotov ndaj godinës, nuk kishte akuzuar drejtuesit e qeverisë për organizimin e tyre.

Në reagimin e tij, ai përsërit se nuk ka ndërmend të dëmtojë Partinë Socialiste apo institucionin që ka drejtuar për vite me radhë.

Kryebashkiaku përmend edhe pjesëmarrjen e tij në protestat dhe aktivitetet politike të së majtës, përfshirë ngjarjet e 21 janarit dhe grevën e urisë, duke kritikuar drejtuesit aktualë të qeverisë që, sipas tij, nuk kanë përjetuar betejat politike të opozitës.

Ai thotë se gjatë kësaj periudhe ka bërë vetëm dy postime politike, një për Hashim Thaçin dhe UÇK-në dhe një tjetër për presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke këmbëngulur se nuk ka asnjë lidhje me organizimin e protestave.

“Nuk e delegoj më Bashkinë, mandatin ma kanë dhënë qytetarët”

Pika e dytë e përgjigjes së Veliajt lidhet me drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku deklaron se nuk do të pranojë ta delegojë sërish ushtrimin e kompetencave të tij, duke argumentuar se një delegim i mëparshëm kishte zgjatur 18 muaj dhe, sipas vlerësimit të tij, nuk kishte sjellë rezultatet e nevojshme.

Ai i referohet mandatit të fituar në zgjedhje me rreth 160 mijë vota, si edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilin e interpreton si mbështetje për vazhdimin e mandatit të tij.

Veliaj kritikon mënyrën si është administruar Bashkia gjatë mungesës së tij. Ai pretendon se gjatë asaj periudhe nuk janë realizuar investime të reja, nuk janë mbjellë pemë dhe nuk janë marrë vendime të rëndësishme.

Gjithashtu, ai përmend si probleme të pazgjidhura projektet në Bulevardin e Ri dhe në zonën e Lanës, ndërsa pretendon se pas ndërhyrjeve të tij janë zhbllokuar gjashtë shkolla dhe rreth 1.500 kredi të buta.

Këto janë pretendime dhe vlerësime të vetë Veliajt mbi ecurinë e Bashkisë, jo një bilanc administrativ i verifikuar në mënyrë të pavarur.

Kryebashkiaku kritikon edhe përfshirjen e personave që ai i konsideron të largët nga strukturat tradicionale të Partisë Socialiste, ndërsa mbron emërimet dhe promovimet e figurave me kontribute në këtë forcë politike.

Ai përmend Etlevën, Sadiun dhe Sarën si njerëz me lidhje të hershme me socialistët dhe administratën e Bashkisë së Tiranës.

Sa i përket Arbër Hajdarit, emri i të cilit ishte përmendur në pretendimet e mëparshme për delegimin e drejtimit të Bashkisë, Veliaj shprehet se nuk ka kundërshtim personal ndaj tij, por nuk pranon një delegim të ri.

“Me kë të këshillohem, me muret?”, Veliaj mbron avokatin Plarent Ndreca

Pika e tretë e reagimit lidhet me marrëdhënien e Veliajt me avokatin e tij, Plarent Ndreca, të cilit në shënime i referohet si “Plaro”.

Veliaj thotë se për rreth 20 muaj është gjendur pa mbështetjen dhe kontaktet që kishte pasur më parë, ndërsa Ndreca ka qenë një nga personat që i ka qëndruar pranë.

Ai kundërshton kërkesën e pretenduar për të mos u këshilluar më me avokatin, duke e paraqitur marrëdhënien e tyre si një lidhje që, përtej mbrojtjes ligjore, është shndërruar edhe në miqësi personale.

Sipas Veliajt, Ndreca ka qenë fillimisht bashkëpunëtor i tij, por është afruar më shumë gjatë periudhës së paraburgimit.

Në fund të shënimeve, kryebashkiaku përshkruan përfundimin e takimit me ministrin Gogu rreth mesnatës. Ai thotë se ministri i kishte sjellë dy libra dhe se, pasi e kishte falënderuar, ishte kthyer në qeli me paterica.

Veliaj e mbyll reagimin duke deklaruar se nuk pranon marrëveshje apo veprime që i konsideron të paligjshme.

Toni Gogu i ka mohuar akuzat, avokati konfirmon publikimin e shënimeve

Polemika mes Veliajt dhe kryeministrit ka nisur pas publikimit të pretendimeve për takimin e 30 tetorit në burgun e Fierit.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka pranuar se është takuar me Veliajn, por ka kundërshtuar versionin sipas të cilit ka përcjellë mesazhe kërcënuese nga Rama.

Gogu e ka përshkruar takimin si një vizitë të lidhur me përgjegjësitë institucionale dhe me njohjen e tyre të mëparshme, duke mohuar përmbajtjen e mesazheve që i atribuohen.

Ndërkohë, avokati Plarent Ndreca ka deklaruar më 4 nëntor se Veliaj i kishte dorëzuar faqe nga ditari personal, ku kishte shkruar përgjigjet për ministrin Gogu. Ndreca njoftoi gjithashtu se klienti i tij ishte transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit për shkak të një frakture në këmbë.

Përplasja ka nxjerrë në pah një konflikt të hapur politik mes kryebashkiakut të Tiranës dhe kryeministrit, ndërsa mbeten të paprovuara pretendimet për ndërhyrje në procedurat e paraburgimit, presion politik apo ndikim mbi organet e drejtësisë.

Teksti i plotë nga Veliaj

Përgjigjet e mia: TG

1 – Transferim si “nder” + protestat

– E kuptoj që je veç lajmësi, jo autori – s’të vë faj ty, mbetesh miku im, pavarësisht rolit.

– Turp që KM merret vetë me internimet.

– Nëse R. mendon se duke më larguar dhe izoluar nga familja bëhet i madh – he belittles himself – dhe gardianët në burgje e tallin.

– Bëtë goditje të madhe, për të dalë kaq të vegjël, pity.

– Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem.

– Çfarë “nderi” duhet t’i njoh KM? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr?

– Ç’a dmth hera e fundit si baba? Kërcënim?

– Kjo e prok që thua “duan të më hanë të gjallë, e më duan të vdekur” është turp për ju që bëni këto muhabete

– Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm

– Kur ruaja unë Tiranën nga dhuna 54 javë digjej bashkia s’ju akuzoja ju dhe pse digjej BT me molotovë e s’lëvizi gishtin kush.

– Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet KM? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA

– Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia.

– Po ju s’keni nga ta dini, keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë.

– Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në “28 janar” (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm.

– Ku ishin këta sot ministra? Ndaj e kanë kollaj ta gjënjejnë e helmojnë, me “armiq të brendshëm” se s’kanë as memorie, sillen si palaçot tek “rrobat e mbretit”

– Bëra dy postime politike vetëm – 1 për Hashën dhe UÇK + 1 për Vuçiçin. Nuk flisni me mua 20 muaj e ju kap tartakuti e merreni me birucat. I qëndroj postimeve, ju merruni me birucat.

– Përgjigja për KM është: Nuk i organizoj protestat, po as nuk më intimidon dot me këto sajesa që i përbuz me neveri. Fuckin’ grow up, ku ju del koha të merreni.

– Jo këtu, po në Spaç të më çoni 100 vjet nuk më përkulni dot. Ta harrojë R.

2

– Nuk e delegoj BT. E delegova 18 muaj. Mandatin ma dha GJK dhe populli i majtë e qytetar 160 mijë vota

– 0 shkolla – 0 pemë të mbjella – 0 investime të reja – 0 vendime të rëndësishme – 0 kredi të lëshuara, madje humbëm dhe Katarin te Bulevardi Ri, dhe BEI te Lana

– Në pak javë që e mora u zhbllokuan 6 shkolla në shtator, +1500 kredi të buta

– Jo se jam më i afti, po se jam zgjedhur, ndaj dhe më i përgjegjshëm

– KM premtoi do merrej vetë, po plehrat u bënë mullar, ikën socialistët dhe sollët Dash Sulën e vogël që vinte gjoba. Pse mbaruan njerëzit që sollën fitoret me PS?

– Riktheva Bashkinë te Socialistët e qytetarët; Etleva 24 karat socialiste e jona, e ndershme e aftë.

– Sadi ish prefekt e deputet socialist, me kontribute si tironc e në PS.

– Sarën që fëmijë e kam pasur në FRESSH – ka dhënë vitet më të mira në PS+BT

– PS nuk rritet nga skorjet që hedh saliu, po nga promovimi i të rinjve brenda e jashtë PS

– Ndaj hajt ta promovojmë Arbrin, s’është djalë i keq, por delegimin nuk e bëj më

– Fool me once, shame on you, Fool me twice, shame on me

3

Përgjigja për Plaron

– 20 muaj s’më latë asnjë këshilltar tjetër. Ti vetë vjen pas 2 vjetësh. Me kë të këshillohem unë? Me muret?

– A më thua që KM cakton birucat, takimet, vizitat në spital? Ç’a më thua këshillohu?

– A ju shkruajti në chat grupe për Etjenin, mos u merrni?

– Plaro m’u bë shok, mik e avokat. Para vakisë ishim bashkëpunëtorë, po ngaqë ju ikët a s’ju la udhëheqësi, mbeta veç me Plaron e tani them më mirë 1 i saktë se 1000 servilë kot.

– 24:00 e mbyllëm. Më solli dy libra e falenderova, ai u largua me drejtorin, unë u riktheva në qeli me paterica.

– I urova të mira e të fala, po nuk pranoj afera të paligjshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit