

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka zbardhur përgjigjet e tij gjatë një bisede të zhvilluar në burgun e Fierit me drejtuesin politik Toni Gogu. Përmes një reagimi të detajuar, Veliaj ka hedhur poshtë pretendimet për përfshirje në organizimin e protestave apo cenim të rendit kushtetues, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për presion, vendosje izolimi dhe ndërhyrje direkte në kushtet e tij të paraburgimit.
Në mesazhin e tij, Veliaj nënvizon se nuk frikësohet nga transferimet apo presionet e ekzekutivit, duke deklaruar se nuk do të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe nga mbështetja për bashkëpunëtorët e tij.
Përgjigjet e plota të Erion Veliajt (Të zbardhura nga biseda me TG):
1. Mbi transferimin, akuzat për protesta dhe presionin politik:
E kuptoj që je veç lajmësi, jo autori – s’të vë faj ty, mbetesh miku im, pavarësisht rolit.
Turp që Kryeministri merret vetë me internimet.
Nëse R. mendon se duke më larguar dhe izoluar nga familja bëhet i madh – he belittles himself – dhe gardianët në burgje e tallin.
Bëtë goditje të madhe, për të dalë kaq të vegjël, pity.
Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem.
Çfarë “nderi” duhet t’i njoh Kryeministrit? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr?
Ç’a domethënë hera e fundit si baba? Kërcënim?
Kjo e prokurorit që thua “duan të më hanë të gjallë, e më duan të vdekur” është turp për ju që bëni këto muhabete.
Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as i studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandisur shteti, gjeti armikun e brendshëm.
Kur ruaja unë Tiranën nga dhuna 54 javë digjej bashkia s’ju akuzoja ju, edhe pse digjej Bashkia e Tiranës me molotovë e s’lëvizi gishtin kush.
Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet Kryeministri? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA.
Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. Partisë Socialiste jo e jo, po flas për Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. Më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia.
Po ju s’keni nga ta dini, keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë.
Unë isha aty më 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në “28 janar” (e di Kryeministri shumë mirë), e në verën e vitit 2011 me R. e lanë të gjithë vetëm.
Ku ishin këta sot ministra? Ndaj e kanë kollaj ta gënjejnë e ta helmojnë me “armiq të brendshëm”, se s’kanë as memorie, sillen si palaçot tek “rrobat e mbretit”.
Bëra dy postime politike vetëm – një për Hashën dhe UÇK-në, si dhe një për Vuçiçin. Nuk flisni me mua prej 20 muajsh e ju kap tartakuti e merreni me birucat. I qëndroj postimeve, ju merruni me birucat.
Përgjigja për Kryeministrin është: Nuk i organizoj protestat, po as nuk më intimidon dot me këto sajesa që i përbuz me neveri. Fuckin’ grow up, ku ju del koha të merreni.
Jo këtu, po në Spaç të më çoni 100 vjet nuk më përkulni dot. Ta harrojë R.
2. Mbi menaxhimin e Bashkisë së Tiranës dhe drejtimin e saj:
Nuk e delegoj Bashkinë e Tiranës. E delegova 18 muaj. Mandatin ma dha Gjykata Kushtetuese dhe populli i majtë e qytetar me 160 mijë vota.
0 shkolla
0 pemë të mbjella
0 investime të reja
0 vendime të rëndësishme
0 kredi të lëshuara, madje humbëm dhe Katarin te Bulevardi i Ri, dhe BEI te Lana.
Në pak javë që e mora u zhbllokuan 6 shkolla në shtator, si dhe +1500 kredi të buta.
Jo se jam më i afti, po se jam zgjedhur, ndaj jam dhe më i përgjegjshëm.
Kryeministri premtoi se do merrej vetë, po plehrat u bënë mullar, ikën socialistët dhe sollët Dash Sulën e vogël që vinte gjoba. Pse mbaruan njerëzit që sollën fitoret me PS-në?
Riktheva Bashkinë te socialistët e qytetarët; Etleva është 24 karat socialiste e jona, e ndershme dhe e aftë.
Sadiu është ish-prefekt e deputet socialist, me kontribute si tironc e në PS.
Sarën që fëmijë e kam pasur në FRESSH – ka dhënë vitet më të mira në PS dhe Bashkinë e Tiranës.
PS nuk rritet nga skorjet që hedh Saliu, po nga promovimi i të rinjve brenda e jashtë PS-së.
Ndaj hajt ta promovojmë Arbrin, s’është djalë i keq, por delegimin nuk e bëj më.
Fool me once, shame on you. Fool me twice, shame on me.
3. Përgjigja për mbrojtjen dhe raportet me avokatin (Plaron):
Prej 20 muajsh s’më latë asnjë këshilltar tjetër. Ti vetë vjen pas 2 vjetësh. Me kë të këshillohem unë? Me muret?
A më thua që Kryeministri cakton birucat, takimet, vizitat në spital? Ç’a më thua këshillohu?
A ju shkroi në chat-grupe për Etjenin, mos u merrni?
Plaro m’u bë shok, mik e avokat. Para vakisë ishim bashkëpunëtorë, po ngaqë ju ikët a s’ju la udhëheqësi, mbeta veç me Plaron e tani them më mirë 1 i saktë se 1000 servilë kot.
Në orën 24:00 e mbyllëm. Më solli dy libra e falënderova, ai u largua me drejtorin, ndërsa unë u riktheva në qeli me paterica.
I urova të mira e të fala, po nuk pranoj aferat të paligjshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






