

Karta elektorale e qeverisë në pushtet ishte anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda 2030 dhe mbyllje e negociatave më 2027, por një plan i ri që shpalli sot Brukseli e zbeh këtë premtim pasi nuk bëhet fjalë për anëtarësim të menjëhershëm, por integrim gradual të vendeve kandidate.
Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas tha sot se "Mali i Zi është më afër vijës së finishit, me një rrugë të qartë drejt nënshkrimit të traktatit të pranimit deri verën e ardhshme" ndërsa shtoi: "Shqipëria ka hapur të gjitha grupet e negociatave në pak më shumë se një vit, por detyra tani është të ruhet ritmi duke përshpejtuar reformat".
Kurse Marta Kos tha: "Mali i Zi është në rrugën e duhur për t’u bërë shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028 dhe ne mund ta nënshkruajmë traktatin e pranimit sa më shpejt që të jetë e mundur në qershor 2027."
Pëe vendin tonë, Kos tha: "Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave, për të ecur drejt mbylljes së kapitujve të mbetur. Në zemër të çdo përpjekjeje për reformë duhet të jetë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Kjo ka rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë dhe jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Një përfshirje kuptimplotë e të gjithë shoqërisë është thelbësore për të siguruar një proces të fuqishëm legjislativ dhe reforma që japin rezultate në praktikë"
Strategjia e re e BE
Komisioni Evropian ka prezantuar sot atë që e cilësoi strategji e re zgjerimi. Me synimin që të përshpejtohet integrimi i vendeve kandidate në strukturat e Bashkimit Evropian, pa qenë e nevojshme që ato të presin anëtarësimin e plotë, dokumenti demonstron një bllokim të anëtarësimit të plotë siç ka ndodhur me të gjitha vendet që i janë bashkuar deri tani Unionit.
Strategjia, e titulluar “Mekanizmat e integrimit gradual përgjatë kapitujve të anëtarësimit” (Gradual Integration Strands Across the Accession Chapters), parashikon që vende si Shqipëria dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor të përfshihen hap pas hapi në politikat, programet dhe agjencitë e BE-së, në varësi të përmbushjes së kritereve dhe reformave.
Komisionerja Marta Kos tha se "në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, ne do të nisim dialogje gradualë për integrimin me vendet në zgjerim për të vlerësuar masat ekzistuese dhe për të eksploruar mundësi të mëtejshme për integrim".
Dokumenti sugjeron se, përpara anëtarësimit formal, vendet mund të fitojnë qasje në fusha të caktuara të tregut evropian dhe të marrin pjesë në mekanizma e programe të përbashkëta të Bashkimit Evropian.
Strategjia mbështetet në strukturën e negociatave të anëtarësimit, të organizuara në 33 kapituj dhe gjashtë grup-kapituj kryesorë.
Ato janë Themeloret, Tregu i Brendshëm, Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme, Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Përmes një mekanizmi të integrimit gradual, vendet kandidate do të mund të avancojnë në fusha të ndryshme, në varësi të progresit dhe përmbushjes së kushteve përkatëse nga çdo vend, përfshirë Shqipërinë.
Dokumenti paraqet edhe këtë skemë vizuale që shihni në foto që tregon fazat e këtij procesi, duke treguar se si përparimi në negociata mund të shoqërohet me përfshirje më të madhe në strukturat evropiane.
Plani i ri synon që vendet kandidate të përfshihen në punën e agjencive të Bashkimit Evropian përpara se të bëhen anëtare me të drejta të plota.
Struktat janë Frontex, ku gjithsesi Shqipëria ka bashkëpunim prej vitesh dhe në të vërtetë është një instrument që kryesisht kontrollon nëse qytetarët e vendeve jashtë BE lëvizin brenda rregullave shtrënguese që ka Unioni siç janë hapësirat 90 ditore në 6 muaj.
Gjithashtu është dhe Europol ku sërish Shqipëria është në bashkëpunim të vazhdueshëm prej kohësh, si dhe struktura të tjera si Agjencia Evropiane e Barnave (EMA); Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA) dhe Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA). Me të gjitha këto, vendi ynë ka bashkëpunim konstant.
Po ashtu plani i ri parashikon dhe të tjera bashkëpunime të vjetra siç është programi Erasmus ku janë përfshirë prej vitesh universitetet e Shqipërisë, Horizon Europe për kërkimin shkencor dhe inovacionin, LIFE për mjedisin, si dhe programet për transportin dhe energjinë përmes instrumentit CEF.
Komisioni Evropian sqaron se integrimi gradual nuk nënkupton anëtarësim automatik dhe as zëvendësim të negociatave për anëtarësim të plotë. Përfitimet do të varen nga përmbushja e kritereve, zbatimi i reformave dhe përparimi në kapitujt përkatës, thuhet në dokument.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






