

“U hodha nga ballkoni, më ra dera në kokë”, banorët rrëfejnë tmerrin nga shpërthimi i fuqishëm në Elbasan
Elbasan – Momente paniku dhe frike kanë përjetuar banorët e një pallati në Elbasan, pas një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi në një apartament dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Shpërthimi ka tronditur edhe ndërtesat përreth, ndërsa banorët e zonës e kanë krahasuar zhurmën me atë të një bombe. Disa prej tyre kanë rrëfyer momentet dramatike kur dëgjuan shpërthimin dhe panë dëmet e shkaktuara.
Një nga banorët e ndërtesës së prekur tregoi se, në përpjekje për të shpëtuar, është hedhur nga ballkoni. Ai tha se dera e ballkonit i kishte rënë në kokë, ndërsa djali i tij bërtiste për ndihmë.
“Kam gjysmë ore që kam dalë. Më ra në kokë dera e ballkonit, djali po vinte nga shkolla. Djali bërtiste. Imagjino të dëgjosh fëmijën të thotë ‘Ndihmë!’ dhe të mos dilja dot. U hodha nga ballkoni më pas. Dëmi është deri në 80 milionë lekë. Para një muaji i hodha prapë lekë”, u shpreh banori, duke treguar edhe shenjat e dëmtimeve që kishte pësuar.
Edhe banorët e pallateve pranë vendit të ngjarjes treguan se fuqia e shpërthimit ishte e jashtëzakonshme.
“Jetoj te pallati tjetër. Ishte një shpërthim shumë i madh, si bombë. Nuk e di nëse ka të lënduar”, deklaroi një banor.
Një tjetër qytetar tregoi se, sapo dëgjoi zhurmën, doli për të parë çfarë kishte ndodhur dhe u përball me pamjet e shkatërrimit.
“Shtëpinë e kam këtu afër. E dëgjuam shpërthimin, ishte diçka e madhe. Erdhëm këtu dhe pamë se ajo ishte shembur. Nuk e dimë se çfarë ka qenë. Erdhi policia dhe zjarrfikëset. Ishte edhe vendi i ngushtë, ku nuk hyn dot asgjë”, u shpreh ai.
Banorë të tjerë e përshkruan situatën si tepër të frikshme, duke theksuar se goditja ishte aq e fortë sa u ndie edhe brenda banesave përreth.
“Ishte e tmerrshme, ishte një shpërthim i fuqishëm. Nga sa shohim, dëmi është i madh. E frikshme ajo që shohim”, tha një dëshmitar.
“U trondit shtëpia, shumë i madh ishte shpërthimi. Ne po rrinim dhe thamë: ‘Çfarë u bë?’ Shumë e frikshme”, rrëfeu një tjetër banor.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, pas shpërthimit kanë mbërritur forcat e policisë dhe shërbimet zjarrfikëse. Banorët kanë ngritur shqetësimin edhe për hapësirat e ngushta pranë ndërtesës, të cilat mund ta vështirësojnë ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës.
Shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë nga informacionet e disponueshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






