Transmetuar më 04-11-2026, 16:12

Detaje të reja nga tragjedia në Elbasan, 83-vjeçarja Hatixhe Berisha që humbi jetën banonte ngjitur me apartamentin e shpërthimit, shembet edhe tarraca e pallatit

Elbasan – Detaje të reja kanë dalë në dritë nga shpërthimi i fuqishëm që tronditi një pallat banimi në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar vdekjen e një 83-vjeçareje dhe lëndimin e tetë personave të tjerë, mes tyre një fëmijë.

Sipas informacioneve të fundit nga vendngjarja, Hatixhe Berisha, 83 vjeçe që humbi jetën nuk banonte në apartamentin ku ndodhi shpërthimi, por në banesën ngjitur me të.

E ndjera është gjetur i pajetë pas ngjarjes, ndërsa dëmtimet e shkaktuara në ndërtesë kanë rezultuar të konsiderueshme.

Fuqia e shpërthimit ka shkaktuar shembjen e mureve të apartamentit, dëmtimin dhe shembjen e një pjese të shkallëve të pallatit. Sipas ekipeve në terren, është shembur edhe tarraca e godinës, duke e bërë situatën veçanërisht të rrezikshme.

Ndërhyrja në brendësi të apartamentit ku ndodhi shpërthimi mbetej ende në pritje në momentin e raportimit, ndërkohë që strukturat e emergjencës po vlerësonin pasojat e dëmtimeve të rënda.

Menjëherë pas ngjarjes, forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e urgjencës kanë mbërritur në vendngjarje, duke nisur operacionin për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit të shkaktuar në apartament.

Për shkak të rrezikut dhe dëmtimeve në strukturën e pallatit, është kryer evakuimi i të gjithë godinës.

Sa u përket personave të lënduar, tetë qytetarë kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, ata kanë pësuar asfiksi dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ministria e Shëndetësisë kishte konfirmuar më herët se mes personave që po trajtoheshin ishte edhe një fëmijë.

Shpërthimi ka shkaktuar panik te banorët e pallatit dhe të ndërtesave përreth. Dëshmitarët kanë treguar se zhurma ishte aq e fortë sa u ngjante shpërthimeve të një bombe.

Një prej banorëve të prekur rrëfeu më herët se ishte hedhur nga ballkoni për të shpëtuar, pasi dera e ballkonit i kishte rënë në kokë, ndërsa dëgjonte djalin e tij duke bërtitur për ndihmë.

Operacionet e emergjencës kanë vijuar për menaxhimin e situatës dhe verifikimin e pasojave, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar shkaku i shpërthimit që i mori jetën 83-vjeçares.

Priten informacione të mëtejshme nga autoritetet për gjendjen e ndërtesës, rrethanat e ngjarjes dhe dëmet e shkaktuara.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit