Transmetuar më 04-11-2026, 14:44

Një kontroll rutinë i policisë në autostradën M74 në Glasgow të Skosisë ka zbuluar një skenë sa të papritur aq edhe të pazakontë. Oficerët që ndaluan një automjet për transport të lëndëve narkotike sekuestruan nën sediljen e pasagjerit kokainë dhe heroinë me një vlerë të përgjithshme prej më shumë se 14 mijë paundësh. Megjithatë, vëmendjen kryesore të efektivëve e mori prania e një qengji të vogël në sediljen e pasme, i cili po hante patatina direkt nga qesja.

Lidhur me ngjarjen e regjistruar në prill të vitit 2023, drejtuesi i mjetit 56-vjeçar John McNeill dhe partnerja e tij Lindsay Sangster pretenduan para autoriteteve se e kishin marrë kafshën në anë të rrugës për ta shpëtuar, duke e pagëzuar më pas me emrin "Pablo". Ndërkohë, hetimet zbuluan se qengji u përkiste të zotëve të një ferme në Motherwell, të cilët nuk kishin dhënë asnjë leje për marrjen e tij. Pas ndërhyrjes së autoriteteve dhe qëndrimit të përkohshëm në një tjetër fermë, kafsha iu rikthye shëndosh e mirë pronarëve të ligjshëm.

Për sa i përket anës ligjore të çështjes, të dy personat u shpallën fajtorë për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen. Gjykata e dënoi McNeill me 300 orë shërbim në komunitet dhe gjashtë muaj monitorim elektronik, ndërsa për Sangster u lëshua një urdhër arresti pasi nuk u paraqit në seancë, teksa më parë i ishte hequr e drejta e drejtimit të mjetit për shkak të ngarjes nën efektin e drogës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit