Transmetuar më 04-11-2026, 14:35

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pas publikimit të Raportit Vjetor të Progresit nga Komisioni Europian, duke e cilësuar vlerësimin e marrë si një moment krenarie dhe një arritje domethënëse në rrugëtimin integrues të Shqipërisë. Përmes një mesazhi të shpërndarë në platformën X, kreu i qeverisë nësubvizoi se vendi ndodhet sot përpara një mundësie historike, teksa vlerësimet nga Brukseli konfirmojnë përparimin e bërë në procesin e anëtarësimit.

Pavarësisht notave pozitive, Kryeministri theksoi se sfidat që presin mbeten të shumta dhe se kalendari i negociatave kërkon një ritëm të ngjeshur pune. Rama vuri në dukje se vlerësimi i lartë ndërkombëtar nuk i zbeh problematikat e jetës së përditshme të qytetarëve, por shërben si një nxitje shtesë për qeverinë dhe shumicën parlamentare për të adresuar me prioritet secilën prej tyre dhe për të thelluar më tej reformat.

Në mbyllje të reagimit të tij, kreu i ekzekutivit bëri thirrje për kapërcimin e dasive dhe mosmarrëveshjeve të brendshme politike. Ai nëvizoi se dera e Bashkimit Europian është më e hapur se kurrë dhe se pengesat apo debatet joproduktive të brendshme nuk duhet të cenojnë arritjen e objektivit kombëtar për anëtarësimin e plotë të vendit në familjen europiane.

Kryeministri Edi Rama në platformën X:

Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë.

Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane. Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian. Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën.

Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë.

Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë.

Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit