

TIRANË — Qeveria po shqyrton mundësinë që Bordi i Transparencës për hidrokarburet të kthhet në një strukturë të përhershme, me synim garantimin e reflektimit të uljes së çmimit të naftës pas zhvendosjes së taksës së qarkullimit nga karburanti te taksat e mjeteve.
Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonominë dhe Biznesin mbi paketën e re fiskale, Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se ekzekutivi po harton mekanizma të reja monitoruese për tregjet me strukturë oligopoli.
“Ka disa mekanizma që po shqyrtohen nga qeveria. Së pari po mendojmë për një monitorim të tregjeve oligopol siç është tregu i hidrokarbureve që do të monitorohet për reflektimin e uljes së taksës së qarkullimit me 32.4 lekë. Po diskutohet nëse do të ketë një Bord Transparence permanent për të monitoruar çmimet e hidrokarbureve”, tha Malaj.
Përveç tregut të karburanteve, ministri theksoi se kontroll i rreptë do të ushtrohet edhe mbi 54 produkte ushqimore bazë, të cilat parashikohet t’u kushtojnë më pak konsumatorëve nga janari i vitit 2027 si rezultat i uljes së TVSH-së nga 20% në 6%. Për këtë qëllim, autoritetet do të përdorin teknologjinë për të analizuar çmimet në të gjithë zinxhirin nga prodhuesi e importuesi deri te tregu përfundimtar.
Gjatë diskutimeve, Malaj hodhi poshtë pretendimet se rritja e TVSH-së standarde me 1% do të sjellë më shumë të ardhura sesa efektet negative nga ulja e TVSH-së për ushqimet, duke sqaruar se rritja e TVSH-së në 21% sjell 10.6 miliardë lekë në buxhet, ndërsa ulja për ushqimet krijon një mungesë prej 12.8 miliardë lekësh.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






