Transmetuar më 04-11-2026, 13:52

BRUKSEL — Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të vendosin në qendër të reformave shtetërore sundimin e ligjit, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe lirinë e medias, si kushte kyçe për përparimin e mëtejshëm drejt integrimit.

Gjatë prezantimit të Progres-Raportit vjetor përpara Parlamentit Evropian, Kos vlerësoi se objektivi i Tiranës për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 është i arritshëm, por nënvizoi se ky proces kërkon vijimësi të konsoliduar në reformat më themelore.

Sipas Komisioneres, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe përparimi i dukshëm në standardet mjedisore nuk janë vetëm detyrime administrative ndaj Brukselit, por përbëjnë elemente me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.

“Në të njëjtën kohë, do të na duhet të shohim një vijimësi të përqendrimit te përparimi në fushat kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027. Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi. Këto çështje kanë rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve,” tha Marta Kos.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit