Transmetuar më 04-11-2026, 12:03

TIRANË — Policia e Tiranës ka vendosur masa administrative me nga 5 mijë lekë të reja ndaj 36 pjesëmarrësve në protestën e zhvilluar ditën e martë, të cilët bllokuan qarkullimin e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Rrugën e Durrësit.

Sipas njoftimit zyrtar të bluve, ndëshkimet administrative u ndërmorën pasi protestuesit penguan lëvizjen e mjeteve të transportit dhe refuzuan t’u bindeshin thirrjeve të përsëritura të efektivëve me megafon për lirimin e menjëhershëm të rrugës.

"Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë", njoftoi zyrtarisht policia.

Në procesverbalet e förpiluara nga punonjësit e policisë argumentohet se protestuesit kanë kryer bllokimin e rrugës automobilistike përpara Kryeministrisë duke refuzuar urdhrin e policisë për largim.

Me aplikimin e këtyre masave të fundit, numri total i personave të gjobitur arrin në 48 pas hyrjes në fuqi të Aktit Normativ të miratuar më 28 tetor. Ky kuadër i ri ligjor parashikon 9 kategori gjobash që variojnë nga 5.000 deri në 500.000 lekë për shkelje gjatë tubimeve, si bllokimi i akseseve rrugore, fshehja e identitetit apo mosbindja ndaj urdhrave të policisë. Gjithashtu, ndryshimet i japin të drejtë policisë të ndalojë tubimet deri në 72 orë në zona të caktuara kur ka dyshime për dhunë, si dhe parashikojnë krijimin e një regjistri të posaçëm për evidentimin e personave të përfshirë në akte dhune.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit