

TIRANË — Policia e Shtetit ka vendosur masa administrative me nga 5 mijë lekë të reja ndaj 36 pjesëmarrësve në tubimin e zhvilluar ditën e martë në kryeqytet, të cilët bllokuan qarkullimin e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Rrugën e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve policore, vendosja e gjobave erdhi pasi protestuesit refuzuan t’u bindeshin thirrjeve të përsëritura të efektivëve të rendit për lirimin e menjëhershëm të rrugës dhe normallizimin e trafikut.
"Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë", njoftoi zyrtarisht policia.
Në procesverbalet e përpiluara nga shërbimet e Policisë së Shtetit argumentohet se protestuesit kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur thirrjet me megafon për largimin nga korsitë e lëvizjes automobilistike përpara godinës së Kryeministrisë.
Me aplikimin e këtyre masave të fundit, numri i personave të ndëshkuar ka arritur në 48, pas hyrjes në fuqi të Aktit Normativ të miratuar më 28 tetor. Ky kuadër i ri ligjor parashikon nëntë kategori gjobash që variojnë nga 5.000 deri në 500.000 lekë për shkelje gjatë manifestimeve publike, si bllokimi i akseseve rrugore, fshehja e identitetit ose mosbindja ndaj urdhrave të policisë. Gjithashtu, ndryshimet i japin të drejtë policisë të ndalojë tubimet deri në 72 orë në zona të caktuara kur ka dyshime për dhunë, si dhe parashikojnë krijimin e një regjistri të posaçëm për evidentimin e personave të përfshirë në akte dhune.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






