Transmetuar më 04-11-2026, 09:37

Vite të tëra duke kursyer pak e nga pak dhe kishte arritur të mblidhte 6800 euro. Edhe ca të tjera duheshin që ajo të kishte gjithë shumën që i duhej për t’iu nënshtruar një operacioni. Por paratë u zhdukën kur gruaja u plaçkit në banesën e saj.

Ngjarja ka ndodhur në Finiq ku një banesë është vjedhur, ndërsa autorët kanë arritur të marrin shumën prej 6800 eurosh dhe sende me vlerë, përfshirë edhe pajisjen e kamerave të sigurisë.

Elena Anastasi është gruaja në moshë të thyer që iu plaçkit banesa më 31 tetor, kur ajo kishte shkuar të vizitonte disa të afërm të saj.

Gruaja tregon se vjedhja është kryer me thyerje. Hajduti ka shkatërruar madje dhe dyert e brendshme dhe ka krijuar një rrëmujë në përpjekje për të gjetur çdo gjë me vlerë.

Dhe ia ka dalë të marrë të gjitha paratë që gjendeshin, 6800 euro, si dhe sende me vlerë që gruaja e moshuar kishte në shtëpi.

Elena tregon se paratë kishte një jetë që i kursente dhe i nevojiteshin tani për një operacion mjekësor në këmbë.

Për më tepër, një pjesëne parave ishin të motrës së saj që i kishte dërguar për legalizim banese.

“Unë dola në orën 18:00 këtej nga shtëpia. Vajta te një kushërirë dhe sa kam përgjitur, më hapën shtëpinë, më bënë shumë dëm. Menjëherë bërtita, mora policinë, mora një shoqe time në Sarandë dhe ajo pastaj lajmëroi.

Erdhi policia. Hajdutët më kishin hapur të gjithë dollapët, çfarë kishte nëpër dhoma, të gjitha rrobat në shesh.

Më morën para dhe ca flori që kisha unë. Paratë i kisha brenda në dollap të kyçura me çelës dhe më prishën atë dhe mi morën. Paratë i kisha që të bëja një operim në këmbë dhe të tjerat para më solli motra që të paguaja për shtëpinë, për legalizimin. Sa parkoja unë, ata ikën. Kam dhe kamera. Më morën dhe atë aparat”, tregoi e dëmtuara në rtsh.

Autoritetet po verifikojnë indiciet e dhëna nga vetë gruaja, e cila ka hedhur dyshime te bashkëshorti i saj, me të cilin është në proces e sipër divorci.

Dyshime ekzistojnë nga ana e zonjës së shtëpisë dhe dyshohet për bashkëshortin e saj, me të cilin është në prag divorci, dhe policia po heton pikërisht këtë indicie të dhënë nga zonja Anastasi.

Nga ana ligjore, ekspertët kujtojnë faktin se vepra penale e vjedhjes dënohet nga 3 deri në 8 vite burg, në varësi të rrethanave rënduese, siç është kryerja në bashkëpunim apo pasojat e rënda shëndetësore dhe ekonomike për viktimën.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit