Transmetuar më 03-11-2026, 22:55

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka komentuar përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si një zhvillim që po thellon përçarjet brenda Partisë Socialiste. Sipas Koçekut, këto përplasje ishin të pritshme dhe pritet të sjellin ndarje të tjera brenda mazhorancës. Lidhur me mundësinë e largimit të Ramës nga detyra, deputetja tha se kryeministri nuk ka dëshirë të japë dorëheqjen, por rrjedha e zhvillimeve politike mund ta çojë në një pikë ku nuk do të ketë alternativë tjetër. Koçeku shtoi se pas largimit nga grupi parlamentar i PS-së dhe kalimit si e pavarur, ka ndërprerë çdo komunikim me ish-kolegët e saj socialistë.

Në gjykimin e saj për krizën politike dhe rolin e protestave qytetare e studentore, Koçeku theksoi se presioni i rrugës është një faktor i patjetërsueshëm që po vë në shënjestër të gjithë establishmentin e vjetër politik. Ajo u shpreh se në këtë moment nuk ka vend për përçarje mes forca politike opozitare apo mes qytetarëve dhe protestuesve, duke bërë thirrje për bashkim të energjive përballë pushtetit.

Sa i përket qëndrimit të kryeministrit Rama, Koçeku vlerësoi se llogaritja e pushtetit mbështetet pikërisht te fragmentizimi i opozitës dhe i protestuesve. Ajo nënvizoi se duhet bërë e kundërta e asaj që dëshiron pushteti, duke kërkuar konsolidim të rezistencës qytetare. Ndonëse e cilësoi situatën në Shqipëri me karakteristika të ndryshme nga ajo në Serbi, deputetja potencoi se reagimi ndaj regjimeve autoritare në rajon shërben si një nxitje e fortë që edhe studentët shqiptarë të arrijnë synimet e tyre.

Pjesë nga intervista

Koçeku: Sheshi është një faktor i patjetërsueshëm dhe sa më shumë që palët pretendojnë të mos e shohin krizën politike që është shkaktuar në këtë kohë, aq më shumë thellohet kjo krizë në vetvete. Thirrjet e sheshit janë kundër të gjithë establishmentit të vjetër politik që ka pasur vendi ynë në dekada.

Por, në të njëjtën kohë, nuk mendoj se në situatën ku jemi kemi luksin të ketë përçarje politike mes subjekteve që nuk janë pjesë e pushtetit, por në të njëjtën kohë as përçarje mes qytetarëve dhe protestuesve. Besoj se një mundësi bashkimi do të ishte shumë pozitive. Sigurisht, kjo mbetet për t’u parë dhe vihet në pikëpyetje se sa e mundshme mund të jetë, duke pasur parasysh kontekstin social, aftësinë për kompromis dhe konsensusin, që nuk është edhe aq i pranishëm në mentalitetin tonë njerëzor.

Por nuk duhet konsideruar e pamundur, pasi edhe vetë protestat, me flamengon dhe studentët, nëse do të diskutoheshin një vit apo gjashtë-shtatë muaj më parë, do të dukeshin të pamundura si ide dhe si ngjarje.

Pyetje: Në këtë situatë, nga sa e njihni kryeministrin Rama, në këto kushte, çfarë dëshiron ai?

Koçeku: Patjetër që do të dëshironte të kishte atë që është tani, përçarje mes palëve. Është luks i pushtetit që të ketë përçarje mes të gjithëve. Prandaj, duhet të bëhet e kundërta e asaj që dëshirohet nga pushteti dhe të gjenden të gjitha format e mundshme për të krijuar një afrimitet dhe konsolidim, përqendrim të energjisë së përbashkët.

Ju bëtë një krahasim me atë që ndodhi në Serbi. Nuk besoj se ka shumë për të krahasuar mes vendit tonë dhe Serbisë, sepse bëhet fjalë për një gjeografi tjetër, numër popullsie tjetër dhe kushte sociale të tjera. Atje funksionojnë shumë mirë këshillat studentorë kombëtarë, janë funksionale sindikatat e punëtorëve, të cilat kanë pasur një kontribut të madh në të gjithë protestën. Gjithashtu, e gjithë ngjarja dhe narrativa politike e historike janë të tjera. Por, sigurisht, mund të shërbejë si një farë shtyse e mëtejshme, pasi, përderisa ata dolën kundër një regjimi autoritar dhe të ashpër, edhe studentët shqiptarë mund t’ia dalin shumë mirë në kushtet ku janë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit