

Takimi i Kryeministrit Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, rikonfirmohet mbajtja e Samitit të ardhshëm në Tiranë
Bruksel, 3 nëntor 2026 – Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Bruksel një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, takim ku u rikonfirmua mbajtja në Tiranë e Samitit të radhës të NATO-s, në vijim të vendimit të marrë nga vendet aleate.
Njoftimi vjen disa ditë pasi e përditshmja serioze spanjolle El Mundo foli për shanse zero që një samit i NATO të mbahej më 2027 në Tiranë.
Në fokus të takimit Rama-Rutte ishin sfidat aktuale të sigurisë euroatlantike, forcimi i bashkëpunimit strategjik brenda Aleancës dhe roli i Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përbashkëta të mbrojtjes.
Vëmendje e veçantë iu kushtua thellimit të bashkërendimit me NATO-n në përballimin e kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet kibernetike, dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si sfida që kërkojnë një përgjigje gjithnjë e më të koordinuar mes vendeve aleate.

Një tjetër çështje me rëndësi strategjike ishte zhvillimi i Korridorit VIII si korridor i mobilitetit ushtarak, që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe përbën një komponent të rëndësishëm për lëvizshmërinë, gatishmërinë operacionale dhe sigurinë e krahut juglindor të NATO-s. Në këtë kuadër u trajtua edhe rëndësia e projektit të Porto Romanos për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe logjistike në mbështetje të nevojave strategjike të Aleancës.
Duke u ndalur te samiti 2027 në Tiranë, palët kanë vlerësuar se organizimi i tij përbën një moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, jo vetëm si vend mikpritës i forumit më të lartë politik të Aleancës, por edhe si një aleat me rol dhe përgjegjësi në rritje në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.
Në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguri të shtuara dhe sfida të ndërlikuara gjeopolitike, Samiti i radhës i NATO-s në Tiranë do të vendosë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në qendër të diskutimeve strategjike për të ardhmen e sigurisë kolektive, duke konfirmuar rëndësinë e rajonit për stabilitetin dhe sigurinë euroatlantike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






