Transmetuar më 03-11-2026, 21:09

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka dhënë detaje të reja lidhur me përplasjen mes klientit të tij dhe kryeministrit Edi Rama, si dhe për takimin e zhvilluar brenda mjediseve të burgut të Fierit mes Veliajt dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Gjatë një interviste të dhënë mbrëmjen e së martës në emisionin "Zonë e Lirë" me gazetarin Arjan Çani, Ndreca bëri me dije se ekipi mbrojtës po vlerëson mundësinë e dorëzimit të një kallëzimi penal ndaj ministrit Gogu.

Sipas Ndrecës, mbrojtja po analizon shkeljet e mundshme ligjore që lidhen me prezencën e ministrit të Drejtësisë në mjediset e paraburgimit. Kryembrojtësi i Veliajt pretendon se Gogu ka kapërcyer kompetencat ligjore duke u takuar për më shumë se një orë e gjysmë me një të pandehur brenda zyrës së drejtorit të burgut. "Jemi duke e vlerësuar. Nuk kemi dalë ende në konkluzion", u shpreh Ndreca lidhur me nisjen e hapave proceduralë ndaj drejtuesit të dikasterit të Drejtësisë.

I pyetur mbi ekzistencën e mundshme të një regjistrimi audio apo video të bisedës konfidenciale mes Veliajt dhe Gogut, avokati mohoi të ketë dijeni direkte, por përjashtoi mundësinë që regjistrimi të jetë kryer nga klienti i tij. "Nuk e kam idenë. Do të ishte shumë mirë të ishte e regjistruar. E vetmja mundësi që të jetë e regjistruar biseda, është që ta ketë regjistruar administrata e burgut apo zoti Gogu. Unë nuk e kam ende atë provë, ai mbase", deklaroi Ndreca.

Ndër të tjera, avokati Ndreca komentoi edhe presionet e aluduara politike nga ana e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se nuk ndien asnjë pasiguri personale apo profesionale. "Nuk kam asnjë frikë sepse jam shumë i qartë për çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Bisedat janë pjesë e një komunikimi që nuk është normal për kryeministrin e një vendi", nëvizoi ai. Në përmbyllje, Ndreca zbuloi gjithashtu se Erion Veliaj vuan prej dy muajsh nga një dëmtim fizik në këmbë i pësuar gjatë një ndeshjeje futbolli në paraburgimin e Durrësit, çka e detyron të lëvizë me paterica brenda mjediseve të vuajtjes së dënimit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit