

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se ndihma prej 4 miliardë dollarësh për Izraelin do të përfundojë në fund të këtij viti, duke argumentuar se vendi nuk ka më nevojë për këtë mbështetje dhe është në gjendje t’i blejë vetë armët.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin "Fox & Friends" mëngjesin e Ditës së Zgjedhjeve, Trump u shpreh: "Ne u jepnim 4 miliardë dollarë dhe ende po ua japim, por kjo ndërpritet në fund të vitit". Ai pranoi se ky njoftim kishte edhe një sfond politik, duke iu referuar garës së rëndësishme për Senatin në shtetin e Miçiganit mes demokratit Abdul El-Sayed dhe republikanit Mike Rogers. "Pse duhet të përballemi me sulmet e të çmendurve si El-Sayed, kur ata nuk kanë nevojë për këtë ndihmë? Është një argument politik që nuk na leverdis", u shpreh ai.
Sipas presidentit amerikan, kjo mbështetje përfshinte "pajisje dhe para", duke e cilësuar atë si ndihmë ushtarake, para në dorë apo shkëmbim mallrash. Trump theksoi se ai dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishin diskutuar prej vitesh për përfundimin e saj, duke shtuar se ka qenë vetë Netanyahu që e ka ngritur këtë çështje: "Bibi Netanyahu më kontaktoi dhe kemi folur për këtë çështje prej disa vitesh… Më tha: ‘Mendoj se do të ishte e përshtatshme nëse nuk do të merrnim më ndihmë’”.
Trump ritheksoi se Izraeli është aleati numër një i SHBA-së dhe një vend që po lulëzon, ndaj nuk ka më nevojë për fonde të tilla, sidomos në kushtet kur marrëveshja aktuale parashikonte rreth 3.8 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2028. Nga ana e tij, Netanyahu kishte deklaruar në tetor se Amerika ka ndryshuar dhe se Izraeli nuk do të vazhdojë të marrë dhjetëra miliarda dollarë ndihmë amerikane për buxhetin e mbrojtjes.
Megjithatë, Trump qartësoi se ndërprerja e ndihmës nuk do të thotë shkëputje e bashkëpunimit ushtarak, pasi "Ata mund të blejnë çfarëdo që të duan". Presidenti e lidhi këtë vendim edhe me premtimet e tij të fushatës së vitit 2024 për të kufizuar ndihmën e huaj pa kushte dhe për të ulur shpenzimet qeveritare, duke shprehur dëshirën e tij për të arritur një buxhet të balancuar amerikan.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






