

Komisioni Evropian do të paraqesë zyrtarisht këtë të mërkurë një udhërrëfyes të detajuar për përfundimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën. Dokumenti, i cili bazohet në gjetjet e dhjetë raporte-progresit vjetore, mbahet ende nën embargo publike, por u është dorëzuar tashmë përfaqësive diplomatike të vendeve përkatëse në Bruksel.
Në udhërrëfyesin që do të bëhet publik nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, Shqipërisë i njihet një përparim i konsiderueshëm në procesin e integrimit evropian. Brukseli zyrtar vlerëson faktin se brenda një periudhe pak më shumë se njëvjeçare janë hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave, si dhe janë përmbushur me sukses objektivat e ndërmjetëm për Grup-Kapitullin 1, që lidhet me çështjet fundamentale të shtetit të së drejtës.
Pavarësisht ecurisë pozitive, dokumenti i KE-së përmban edhe përcaktime të qarta mbi sfidat që kërkojnë vëmendje të menjëhershme. Ekzekutivi evropian i kërkon Tiranës zyrtare të ruajë ritmin e reformave duke garantuar cilësinë e tyre, ndërsa veçon si shqetësime kryesore polarizimin e skajshëm politik, dobësitë në kontrollin parlamentar dhe përdorimin e tepruar të procedurave të përshpejtuara për miratimin e ligjeve, faktorë këta që ndikojnë negativisht në qeverisjen demokratike.
Sa i përket afateve kohore, projeksionet e Komisionit Evropian përkojnë me ambicien e deklaruar të qeverisë shqiptare për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Sipas udhërrëfyesit, Shqipëria dhe Moldavia parashikohet të përmbyllin këtë proces në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028, ndërsa Ukraina pritet t’i mbyllë negociatat deri në fund të vitit 2029.
Ndërkohë, Mali i Zi mbetet vendi me ecurinë më të avancuar në rajon. Komisionerja Kos pritet të konfirmojë se Podgorica zyrtare është në rrugën e duhur për të përmbyllur procesin e anëtarësimit brenda këtij viti, duke shërbyer si një provë konkrete se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet një objektiv real dhe i arritshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






