Transmetuar më 03-11-2026, 19:34

Në gjykatën e Blois në Francë ka nisur gjyqi ndaj prindërve të Inass Touloub, 4-vjeçares e cila u gjet e vdekur dhe me shenja të rënda dhune në një autostradë në vitin 1987. Procesi gjyqësor zhvillohet 39 vjet pas ngjarjes, duke shënuar një nga hetimet më të gjata të krimeve të pazgjidhura në historinë franceze. Në bankën e të pandehurve u paraqitën nëna, Halima El Bakhti (72 vjeç), e akuzuar për torturë dhe akte barbare me pasojë vdekjen, si dhe babai, Ahmed Touloub (74 vjeç), i akuzuar për bashkëpunim. Të dy të pandehurit përballen me dënimin me burgim të perjetshëm.

Trupi i gjymtuar i vogëlushes u zbulua më 11 gusht 1987 në një hendek pranë autostradës A10. Për shkak se askush nuk kishte raportuar zhdukjen e saj, viktima u njoh në media si "martirja e vogël e A10", ndërsa xhandarmëria ndërmori një nga fushatat më të mëdha të kërkimit duke shpërndarë fotografinë e saj në dhjetëra mijëra shkolla e bashki. Pavarësisht përpjekjeve, dosja u mbyll pa rezultat dy herë. Kthesa vendimtare erdhi vetëm në vitin 2018, kur gjatë një hetimi tjetër u zbulua se ADN-ja e vëllait të viktimës përputhej plotësisht me gjurmët e gjetura në rrobat e 4-vjeçares, çka mundësoi identifikimin e saj dhe arrestimin e prindërve.

Gjatë seancës hapëse, dy të pandehurit u shfaqën veçmas dhe kanë vazhduar të mohojnë përgjegjësinë direkte duke akuzuar njëri-tjetrin. Jashtë gjykatës, aktivistë dhe banorë të zonës vendosën banderola me thirrje për drejtësi për vogëlushen, varri i së cilës vazhdon të mirohet nga komuniteti lokal i Suèvres. Procesi gjyqësor në Blois është parashikuar të vijojë deri më 18 nëntor.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit