Transmetuar më 03-11-2026, 19:20

Një incident me armë zjarri ka ndodhur pasditen e sotme në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku një ushtar i Forcave të Armatosura është vetëplagosur me armën e tij të shërbimit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, gjatë kohës kur efektivi me iniciale E.D. ndodhej me shërbim roje në ambientet e bazës ushtarake.

Sipas burimeve spitalore dhe atyre pranë Bazës Ajrore, ushtari ka marrë një plagë në kraharor, në shpatull. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku ekipi mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë për të stabilizuar parametrat jetësorë.

Ushtari me inicialet E.D. kishte pak kohë që i ishte bashkuar radhëve të Forcave të Armatosura. Deri më tani mbeten ende të panjohura shkaqet dhe rrethanat e plota që e çuan efektivin drejt këtij akti, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes.

Çfarë tha Mbrojtja

Ministria e Mbrojtjes informon se, më datë 3 nëntor 2026, rreth orës 16:46, gjatë kryerjes së shërbimit në Bazën Ajrore të Kuçovës, efektivi E.D është plagosur në shpatull me armën e shërbimit.

Menjëherë pas ngjarjes, efektivit iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua në Spitalin Rajonal të Beratit.

Sipas vlerësimit të mjekëve, parametrat jetësorë janë brenda normës dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Efektivi është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, për të vijuar trajtimin mjekësor të specializuar.

Policia Ushtarake ndodhet në vendngjarje dhe po vijon procedurat për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.

Ministria e Mbrojtjes po ndjek nga afër situatën dhe gjendjen shëndetësore të efektivit, të cilit i uron shërim të shpejtë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit