

Shqipëria është pozicionuar në vendin e 47-të në botë sa i përket rezultateve të nxënësve 15-vjeçarë në shkencë, matematikë dhe lexim, sipas renditjes globale të përgatitur nga Visual Capitalist mbi të dhënat e testimit ndërkombëtar PISA. Me një mesatare prej 425.3 pikësh, Shqipëria arriti të lërë pas të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke u renditur përpara Malit të Zi (vendi i 50-të me 421.3 pikë), Serbisë (vendi i 51-të me 420.3 pikë), Maqedonisë së Veriut (vendi i 73-të me 371.7 pikë) dhe Kosovës, e cila ndodhet në vendin e 82-të me 349 pikë.
Pavarësisht udhëheqjes në nivel rajonal, performanca e nxënësve shqiptarë mbetet ende nën mesataren e vendeve të OECD-së në të tria lëndët e testuara. Sipas të dhënave, Shqipëria grumbulloi mesatarisht 435 pikë në shkencë, 433 pikë në matematikë dhe 408 pikë në lexim, ku kjo e fundit shënon edhe nivelin më të ulët me 53 pikë më pak se mesatarja ndërkombëtare. Këto rezultate dëshmojnë se, me gjithë përparimin relativ në Rajon, hendeku me standardet e arsimit në vendet e zhvilluara mbetet një sfidë e hapur.
Në shkallë globale, klasifikimi dominues udhëhiqet nga sistemet arsimore të Azisë Lindore, ku rajonet e Kinës, Singapori dhe Tajvani zënë vendet e parë falë disiplinës dhe programeve kërkuese mësimore. Estonia vazhdon të mbetet vendi më i suksesshëm evropian duke u renditur e 7-ta në botë me 511.3 pikë, ndërkohë që fuqi të mëdha si Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pozicionohen përkatësisht në vendin e 11-të dhe të 16-të.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






