Transmetuar më 03-11-2026, 17:16

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka deklaruar se rruga e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian po pengohet nga kërkesa e Bullgarisë për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare ndër komunitetet e njohura zyrtarisht. Gjatë fjalës së saj në Samitin e Zgjerimit të Euronews, kreu i shtetit theksoi se Shkupi ka bërë vazhdimisht lëshime përgjatë procesit të integrimit, por nënvizoi se çdo ndërhyrje e mëtejshme në dokumentin themeltar kërkon domosdoshmërisht mbështetjen e qytetarëve, rreth 80 për qind e të cilëve kundërshtojnë këtë kushtëzim.

Kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë buron nga kompromisi i vitit 2022 i ndërmjetësuar nga Franca, zbatimi i të cilit kërkon një shumicë prej dy të tretave në Kuvend që qeveria aktuale nuk e zotëron. Presidentja Siljanovska-Davkova u shpreh se pengesat kryesore për anëtarësim nuk ndërlidhen me mungesën e reformave apo mosplotësimin e kritereve të BE-së, por me mungesën e vullnetit politik nga vendet fqinje. Ajo solli në vëmendje historikun e gjatë të lëshimeve politike të vendit, përfshirë Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018 me Greqinë për ndryshimin e emrit zyrtar, duke ngritur pikëpyetje mbi kufijtë e kushtëzimeve bilaterale ndaj një vendi kandidat.

Pavarësisht kësaj ngërçi, presidentja e Maqedonisë së Veriut rikonfirmoi përkushtimin e saj për të vazhduar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut pragmatik me Sofjen zyrtare. Ajo bëri të ditur se ka zhvilluar disa takime me udhëheqësit bullgarë për të përcjellë shqetësimet e Shkupit, ndërsa bëri thirrje për me tepër vullnet politik me qëllim tejkalimin e pengesave diplomatike dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit