Transmetuar më 03-11-2026, 16:27

Policia spanjolle ka sekuestruar një sasi rekord kokaine që dyshohet se arrin në rreth 10 tonë, të zbuluar brenda dy magazinave në zonën industriale El Labradorcico në Aguilas të Murcias. Zbulimi erdhi pas një incidenti të ndodhur më 30 tetor, ku një punëtor rrëzoi një paletë me mallra gjatë zhvendosjes me pirun ngritës. Drejtuesi i mjetit u largua me shpejtësi nga vendngjarja duke e lënë motorin ndezur, ndërsa efektivët e policisë që mbërritën për aksidentin zbuluan brenda kutive blloqe të presuara kokaine të mbështjella me neopren.

Hetimet e menjëhershme të Gardës Civile çuan në kontrollin e dy ambienteve që shërbenin si bazë magazinimi të përkohshëm (Guarderias), ku në secilën prej tyre u gjetën mbi 5 tonë lëndë narkotike. Sipas autoriteteve dhe mediave spanjolle, pas kësaj ngarkese gjigante dyshohet se qëndron një organizatë e fuqishme kriminale me origjinë shqiptare. Magazinat përdoreshin për grumbullimin e drogës përpara se ajo të shpërndahej me rrugë tokësore drejt blerësve në Spanjë dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Pavarësisht përmasave të sekuestrimit, i cili konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë në historinë e Spanjës, deri më tani nuk është kryer asnjë arrestim pasi personat përgjegjës u larguan përpara mbërritjes së policisë. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave që kishin marrë me qira magazinat dhe po këqyrin pamjet e kamerave të sigurisë të instaluara brenda tyre, ndërsa mbetet ende e paqartë origjina e ngarkesës dhe rruga e ndjekur për hyrjen e saj në territorin spanjoll.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit