

Një operacion i gjerë ndërkombëtar i mbështetur nga Europol dhe Eurojust ka goditur një rrjet kriminal të dyshuar për mashtrime me investime online, me viktima në më shumë se 50 vende të botës. Gjatë aksionit të ndërmarrë më 3 nëntor, autoritetet kanë sekuestruar mbi 100 serverë dhe kanë arrestuar 7 persona me qëllim ekstradimin e tyre drejt Gjermanisë. Në këtë aksion kompleks janë përfshirë autoritetet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Qipros, Finlandës, Gjermanisë dhe Izraelit, ndërsa hetimet drejtohen nga Prokuroria Publike e Itzehoe në Gjermani.
Hetimet katërvjeçare, të nisura në vitin 2022 pas denoncimit të një çifti gjerman, kanë nxjerrë në dritë veprimtarinë e një kompanie që furnizonte grupet kriminale me platforma të rreme tregtimi dhe infrastrukturë teknologjike. Sipas hetuesve, kjo kompani u ofronte shërbime qendrave telefonike (call center) që operonin në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Përmes këtyre qendrave, operatorët kontaktonin viktimat dhe i bindnin të investonin shuma të mëdha parash, duke shkaktuar deri më tani një dëm financiar të identifikuar në mbi 4 milionë euro.
Skema e mashtrimit niste me reklama online që premtonin fitime të shpejta nga kriptomonedhat, aksionet apo valuta e huaj. Pasi qytetarët regjistroheshin në platformat fiktive, të dhënat e tyre u kalonin qendrave telefonike, të cilat i nxisnin fillimisht të investonin shuma të vogla. Në llogaritë e viktimave shfaqeshin fitime të rreme për të krijuar besim, por në momentin që kërkohej tërheqja e parave, operatorët përdornin taktika vonese dhe ndërprisnin çdo komunikim. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të përmasave të këtij rrjeti dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






