

TIRANË — Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë për Embro Sulejmanin, me detyrë administrator i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, i cili akuzohet se ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë periudhës që ky i fundit kërkohej nga drejtësia.
Trupa gjykuese ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Sulejmanit nga ambientet e izolimit, duke i caktuar masat e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, si dhe "Ndalim i daljes jashtë shtetit".
Gjithashtu, gjykata urdhëroi bllokimin e dokumenteve të tij të identifikimit për lëvizjet jashtë vendit pa autorizim paraprak, ndërsa la në fuqi masën e sigurisë për personin tjetër me inicialet F. K.. Për ekzekutimin e këtij vendimi është ngarkuar Prokuroria e Posaçme (SPAK), ndërsa për shkak të sekretit hetimor është ndaluar publikimi i përmbajtjes së plotë të aktit deri në përfundim të hetimeve paraprake.
Sulejmani u arrestua më 22 shtator nën dyshimet se kishte fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në kompleksin qeveritar në Durrës për të fshehur praninë dhe lëvizjet e Ergys Agasit gjatë kohës që ndodhej në kërkim. Përgjatë seancave në Shkallën e Parë, administrator i "Kodrës së Kuajve" ka mohuar akuzat, duke pretenduar se thjesht i kishte dërguar ushqim dhe se nuk kishte konsumuar asnjë vepër penale.
Njoftimi:
1. Miratimin e Vendimit nr. 67, datë 21.09.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt Z.E.S.
2. Ndryshimin e Vendimit nr. 70, datë 24.09.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt Z. E.S.
3. Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj Z. E.S..
4. Urdhërimin e Z. E.S. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin paraprak të gjykatës.
5. Ndalimin e përdorimit të dokumenteve identifikuese për daljen jashtë shtetit të Z. E.S. pa autorizimin paraprak të gjykatës.
6. Caktimin ndaj Z. E.S. të masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale.
7. Detyrimin e Z. E.S. të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 09:00, para oficerit të policisë gjyqësore që heton çështjen si dhe sa herë të thirret nga organet proceduese në vijim të procedimit penal.
8. Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të Z. E.S., nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.
9. Miratimin e Vendimit nr. 70, datë 24.09.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt Z. F.K.
10. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
11. Në bazë dhe për zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake.
12. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Embro Sulejmani, administrator i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, gjatë dëshmisë paraprake në GJKKO ka mohuar të ketë kryer ndonjë vepër penale, ku deklaronte se nuk e kuptonte se për çfarë krimi akuzohet.
Ai u arrestua më 22 shtator me dyshimin se kishte ndihmuar Agasin, ku dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë në momentin kur Ergys Agasi ka hyrë në lokalin e bllokut qeveritar në Durrës, për të fshehur gjurmët e frekuentimit të tij në këto ambiente.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






