

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka konfirmuar se opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të dekretuara për më 9 maj, duke njoftuar se emrat e kandidatëve për kryetarë bashkish dhe drejtuesve të qarqeve do të bëhen publikë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri me dije se mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve — përmes procesit të primareve apo vendimmarrjes së forumeve drejtuese — mbetet për t’u përcaktuar nga strukturat partiake për shkak të mendimeve të ndryshme brenda forcës politike. Paralelisht, ai artikuloi akuza të forta ndaj Presidentit Bajram Begaj pas dekretimit të Reformës së re Territoriale, e cila redukton me 15 numrin e bashkive në shkallë vendi.
“Së pari, ju lutem jeni korrektë me qytetarët. Në ç’kuptim? Duhen përdorur fjalët ashtu siç janë. Sot Presidenti nuk ekziston, ekziston noteri i Padrinos. Dhe qytetarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë se Haram Begaj është thjesht noteri i Padrinos. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që fjala të thotë të vërtetën, kuptimin që ka. Dhe në qoftë se ai sot quhet noteri, nuk është faji i qytetarëve që e quajnë noter, është akti i shëmtuar i tij që e degradoi në atë shkallë institucionin më të lartë të vendit, Presidencën e Republikës. Po, ne do ta ndjekim me të gjitha modalitetet ligjore. Natyrisht, siç e shihni, Padrino ka sot pushtet dhe më shumë se ç’kishte diktatori i fundit në vitin 1990. Dhe kjo është në vitin 2020, se po të vijmë në vitin 2026 nuk është 90, por është të paktën 96 përqind. Çfarë do të thotë? Do të thotë se institucionet e tjera janë thjesht leva, instrumentet e tij”, deklaroi Berisha.
Lidhur me procedurën e zbardhjes së emrave, kreu i opozitës sqaroi se forumet vendimmarrëse do të vendosin së shpejti për formulën zyrtare, ndërsa konfirmoi dërgimin e ndarjes së re administrative për ankimim në Gjykata Kushtetuese.
“Emrat e drejtuesve dhe kandidatëve do të jenë në një kohë sa më shpejt të mundur. Lidhur me procedurën, ka mendime të ndryshme, dhe ajo do vendoset nga forumet e partisë. Nuk mund të them tani. Statuti ka përcaktimet e veta, por mendime ka të ndryshme, ç’është e vërteta”, përfundoi kryetari i PD-së.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






