

HAGË — Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka urdhëruar publikimin e versioneve më të plota dhe më pak të redaktuara të transkripteve të dëshmive për 29 dëshmitarë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, ky hap pason vendimet e mëparshme përmes të cilave u bënë publike dëshmitë e 20 dëshmitarëve që më parë ishin klasifikuar si konfidenciale, me qëllim rritjen e transparencës së procesit gjyqësor.
“Në tetor 2026, Trupi Gjykues urdhëroi të bëheshin publike versione më pak të redaktuara të transkripteve të dëshmive të 29 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët. Ky vendim vijon pas vendimeve të mëparshme me të cilët u bënë publike dëshmitë e 20 dëshmitarëve, të cilat më parë ishin konfidenciale. Këto vendime pasqyrojnë natyrën publike të proceseve dhe përkushtimin e gjykatësve ndaj transparencës. Gjatë gjykimit shumica e dëshmitarëve dhanë dëshmi plotësisht ose pjesërisht në seancë publike, ndërsa 61 dëshmitarë dëshmuan pa asnjë masë mbrojtëse. Dëshmitë e dëshmitarëve, që më parë janë klasifikuar si konfidenciale, rishikohen vazhdimisht me qëllim që më shumë prej tyre të bëhen publike më vonë, duke siguruar njëkohësisht mbrojtjen në vijimësi të viktimave dhe dëshmitarëve”, thuhet në njoftimin e plotë të Speciales.
Dhomat e Specializuara theksuan se rishikimi i dëshmive konfidenciale do të vijojë me qëllim që një pjesë më e madhe e tyre të jetë e aksesueshme për publikun, duke garantuar në mënyrë parallele mbrojtjen e nevojshme për dëshmitarët dhe viktimat.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






