

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, i ka qëndruar pretendimeve të kryebashkiakut të Tiranës se Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i ka kërkuar dorëheqjen nga detyra gjatë një takimi konfidencial të zhvilluar në ambientet e burgut të Fierit. I ftuar në emisionin "Opinion", Ndreca u shpreh publikisht: “Unë i besoj Veliajt, se nuk ndodhi me një të shkruar, ishte ngjarje që vjen nga mesazhi që Veliaj bëri për Beogradin. Nga ky moment ka pasur edhe një ndryshim kursi të sjelljes institucionaleve, si Drejtorisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë. Sapo ka shkuar në dhomë, ka shënuar detajet, i ka mbajtur shënime dhe m’i dha sot në mëngjes. S’jam lejuar ta takoj të shtunën, edhe pse ministri dhe mbrojtësi ligjor mund të hyjnë edhe jashtë orarit. Gjithçka është e vërtetë për shkak të sjelljes institucionale. Gogu ka deklaruar që ka filluar një inspektim, të priste inspektimin. Asnjë komunikim s’ka pasur. Për 20 muaj Gogu s’e ka takuar asnjëherë, sepse thotë si mik”.
Lidhur me rrethanat dhe mënyrën se si është zhvilluar ky takim në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, Ndreca sqaroi se vizita e ministrit ka zgjatur rreth një orë e gjysmë në zyrën e drejtorit të burgut. “Ka shkuar pasi kam takuar unë Veliajn. Ka shkuar në orën 10:30 të natës. Nga ajo që deklaron, tregon se ka shkuar në ushtrim të detyrës sime si ministër dhe si mik. Ushtrimi bëhet në mënyrë normale të premten, pas orarit zyrtar, në darkë dhe në mënyrë të fshehtë. S’ka arsye për t’u fshehur, jo për Veliajn që ka qenë miku i tij, por për çdo të paraburgosur që e vlerëson ta takojë. Sipas asaj që më tha Veliaj, kanë qëndruar rreth një orë e gjysmë te zyra e drejtorit, vetëm. Unë besoj që kushtet shikohen në zyrën e drejtorit të burgut. Gjithë çfarë ka ndodhur aty përmblidhet. Ne kemi thënë vetëm kërkesat që Gogu ka bërë”, deklaroi ai.
Sa i përket kërkesave konkrete politike që pretendohet se i janë bërë kryebashkiakut të Tiranës, Ndreca konfirmoi se për zëvendësimin e tij ekzistojnë edhe dëshmitarë pamorë e dëgjimorë. “Deri tani, sot, Veliaj e ka ftuar publikisht Ramën të nxjerrë faktin ku bazohet kjo. Të pranojë një gjë që nuk e ka bërë. I është kërkuar të japë dorëheqjen. Veliaj është i zgjedhur me votë dhe ka përgjegjësi kushtetuese. I është kërkuar t’ia delegojë bashkinë Arbër Hajdarit. Ka dëshmitarë edhe për këtë çështje. I është kërkuar nga Rama Veliajt”, u shpreh më tej avokati gjatë intervistës.
Më tej, ish-deputeti socialist zbuloi se një nga kërkesat ka qenë edhe largimi i tij nga mbrojtja ligjore, ndërsa konfirmoi përplasje të drejtpërdrejta me kreun e qeverisë. “Unë, në një komunikim me kryeministrin, edhe sot me telefonatë, isha i mbushur me tension dhe me fyerje. Më telefonoi Rama për këtë shkak. Se mendon që unë jam nxitësi i pavarësisë së Erionit nga Rama. Rama më ka telefonuar dhe ka treguar pakënaqësi për mua si këshilltar politik, në kuptimin që e kam nxitur pavarësinë e Veliajt nga Rama. Në fakt, unë nuk jam këshilltari i vetëm ligjor i Veliajt, është një grup i madh”, tha Ndreca.
Në përmbyllje, mbrojtja ligjore sqaroi procedurën e transferimit nga paraburgimi i Durrësit në Fier, si dhe prapaskenat politike të kësaj çështjeje. “Askush nuk është ankuar se duhet të qëndrojë në Durrës. Autoritetet, kur të marrin një vendim, duhet të të njohin me vendimin dhe me argumentin se përse e kanë marrë këtë vendim. Ligji parashikon që i paraburgosuri duhet të qëndrojë pranë familjes, avokatit, gjykatës. Nuk i kemi arsyet e transferimit. Sekret është informacioni, jo vendimi. Nuk kemi vendimin”, tha Ndreca, duke shtuar lidhur me krisjen e marrëdhënieve se: “Është një proces që lidhet me çështjen penale. Veliaj është i bindur që ka një persekutim politik, ku një ndër përfituesit e fshehtë është Edi Rama”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






