

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka analizuar efektet e paketës së re fiskale të propozuar nga qeveria, duke paralajmëruar se disa prej masave të saj mund të frenojnë investimet, të rrisin çmimet e konsumit dhe të rëndojnë mbi sipërmarrjen e vogël.
Mbështetur në të dhënat e Eurostat dhe INSTAT për fuqinë blerëse, analiza nxjerr në pah hendekun e thellë mes kostos së lartë të jetesës dhe nivelit të pagave në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku çmimet e ushqimeve arrijnë në 104% të mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa niveli i përgjithshëm i çmimeve fiksohet në 73%.
Pavarësisht se masat si ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte bazë ushqimore dhe heqja e taksës së qarkullimit nga nafta vlerësohen si pozitive nga APL, pëfitimi i tyre mbetet i kushtëzuar nga pasqyrimi i plotë te konsumatori final.
Për më tepër, kursimi nga karburanti rrezikon të zbehet nga rritja e taksës vjetore të mjetit deri në dyfish.
Në të njëjtën kohë, rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% parashikohet të shtrenjtojë më tej kategori ku Shqipëria është tashmë më e shtrenjta në rajon, si veshjet, mobiljet, pajisjet teknologjike dhe shërbimet e telefonisë, të cilat përbëjnë edhe mjetet kryesore të punës për profesionistët e pavarur.
Goditjen më të drejtpërdrejtë nga kjo reformë pritet ta marrin profesionet e lira dhe bizneset e vogla. Ulja e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim vjetor do të përfshijë në skemën e taksimit rreth 17,500 tatimpagues të rinj, duke u shtuar atyre barrën administrative dhe kosto të reja për deklarime e faturime.
Paralelisht, propozimi për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% do të rrisë barrën mbi fitimin e shpërndarë deri në 29.45%, një masë kjo që sipas APL-së çon drejtpërdrejt në frenimin e riinvestimeve, penalizimin e punësimit dhe bllokimin e rritjes së pagave në sektorin privat.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






