Transmetuar më 03-11-2026, 07:30

Qeveria shqiptare ka vendosur të aplikojë nga 2027 ndryshime thelbësore në paketën e re fiskale, të cilat parashikojnë zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburanteve drejtpërdrejt te detyrimet vjetore të automjeteve.

Nëpërmjet ndryshimeve në ligjin "Për taksat kombëtare", vjen një skemë e re taksimi për shumë zotërues mjetesh në vend dhe ata që vijnë nga jashtë.

Për herë të parë, skema do të përfshijë të gjitha automjetet elektrike që qarkullojnë në Shqipëri, të cilat deri më tani kanë qenë të përjashtuara nga ky detyrim.

Projektligji parashikon një taksë vjetore fikse prej 15 mijë lekësh për autoveturat dhe autobusët elektrikë, ndërsa për motomjetet e kësaj kategorie detyrimi do të jetë 1 mijë lekë në vit. Deri tani çdo autoveturë elektrike paguan 1 mijë lekë në vit.

Taksë fikse për mjetet elektrike në varësi të llojit të tyre

Projektligji parashikon vendosjen e një takse vjetore fikse vjetore për mjetet  elektrike në varësi të llojit të tyre. Konkretisht, parashikohet taksë fikse vjetore:

a) 15 000 lekë mjetet elektrike autoveturë, ATP (sipas grupit I të koeficientit të vjetërsisë), gjithë të tjerat (APV) (sipas grupit II të koeficientit të vjetërsisë) dhe autobusë (sipas grupit III të koeficientit të vjetërsisë); si dhe

b) 1 000 lekë motomjetet elektrike (sipas grupit I të koeficientit të vjetërsisë).

Ndryshe nga mjetet që përdorin karburante, për të cilat taksa vjetore llogaritet në bazë të cilindratës, vjetërsisë dhe llojit të karburantit, për mjetet elektrike propozohet një detyrim vjetor në shumë fikse. Ky ndryshim synon përfshirjen e mjeteve elektrike në skemën e taksimit vjetor, duke kontribuuar në zgjerimin e bazës së taksimit.

Taksë e re qarkullimi për makinat që hyjnë nga jashtë 

Paralelisht, do të vendoset edhe një taksë e re qarkullimi për automjetet me targa të huaja që hyjnë në territorin shqiptar, e cila do të llogaritet në bazë të ditëve të qëndrimit.

Vetëm gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti, në vend janë regjistruar rreth 2.6 milionë hyrje mjetesh të huaja.

Ndryshimet do të sjellin gjithashtu rritje të taksave vjetore për mjetet e përdorura me djegie të brendshme dhe ato luksoze.

Detyrimi për makinat e përdorura pritet të pësojë deri në dyfishim; për shembull, një automjet me naftë i vitit 2013 me cilindratë 2,000 cc do të paguajë 18 mijë lekë në vit nga 9 mijë lekë që paguan aktualisht. Ndërkohë, taksa vjetore për mjetet luksoze propozohet të rritet me 90%, nga 21 mijë në 40 mijë lekë, duke sjellë rreth 430 milionë lekë të ardhura shtesë në buxhet.

Pavarësisht se zhvendosja e taksës do të rrisë të ardhurat nga mjetet nga 26.6 miliardë në 33.8 miliardë lekë, Ministria e Financave llogarit se efekti neto i gjithë kësaj mase do të rezultojë me një rënie të përgjithshme me 5 miliardë lekë në buxhetin e shtetit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit