Transmetuar më 02-11-2026, 23:01

Pronari i "Alta Bank" në Serbi, Davor Macura, i njohur për lidhjet e tij me presidentin Aleksandar Vuçiç, është ndaluar nga policia nën dyshimin se ka nxjerrë në mënyrë të paligjshme rreth 380 milionë euro (45 miliardë dinarë) nga kasaforta e institucionit financiar.

Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi njoftoi se bashkë me biznesmenin janë ndaluar edhe dy zyrtarë të lartë të departamentit të menaxhimit të parave të gatshme, të cilët dyshohet se i kanë lehtësuar Macurës hyrjen e paautorizuar në kasafortë. Kontrollet e ushtruara nga autoritetet në ambientet e bankës dhe në banesën e të dyshuarit pasuan vendimin e Bankës Qendrore të Serbisë për heqjen e licencës së veprimtarisë për "Alta Bank" për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare.

Ndalimi i Macurës vjen gjithashtu pas kërkesës së bërë gjatë muajit tetor nga kongresisti amerikan Joe Wilson drejtuar Departamentit të Shtetit për vendosjen e sanksioneve ndaj tij, me pretendimet për përfshirje në pastrim parash dhe lidhje të ngushta me pushtetin në Beograd.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit