Transmetuar më 02-11-2026, 21:02

Partia Demokratike ka reaguar publikisht lidhur me pretendimet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili përmes një letre të publikuar nga ambienti ku vuan masën e sigurisë në burgun e Fierit, deklaroi se ndaj tij janë ushtruar kërcënime dhe shantazhe nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Sipas opozitës, kushtet e pretenduara nga Veliaj — ku përfshihet dorëheqja nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës në favor të Arbër Hajdarit dhe pranimi i akuzave për ndërhyrje në protesta — përbëjnë një akt të rëndë kriminal. Në deklaratën e saj zyrtare, selia blu nëvizon se këto zhvillime tregojnë se jeta e kryebashkiakut të Tiranës në burgun e Fierit ndodhet në rrezik tejet serioz.

Partia Demokratike e cilësoi ngjarjen si një dëshmi të përdorimit të institucioneve të drejtësisë si mjete shantazhi për llogari të përplasjeve të brendshme politike. Opozita kërkoi nisjen e menjëhershme të hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrit Toni Gogu dhe Arbër Hajdarit, duke e konsideruar përpjekjen për marrjen e drejtimit të bashkisë si një akt antiligjor dhe antikushtetues.

Deklarata e Partisë Demokratike:

Sot mediat publikuan letrën nga burgu të Erion Veliajt, në të cilën ai shkruan se, pas transferimit në burgun e Fierit, Edi Rama i ka dërguar atij në qeli Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe i ka kërkuar të dorëzojë bashkinë te hajduti i damkosur Arbër Hajdari, ose të përballet me 100 vjet burg për prishje të rendit kushtetues dhe financim të ‘Flamingove’.

Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se:

Kërcënimet mafioze ndaj të burgosurit Erion Veliaj janë dëshmi e fytyrës së vërtetë prej kreu të organizatës kriminale (padrino) të Edi Ramës.

Kërcënimi mafioz i të burgosurit Erion Veliaj nga kreu i organizatës kriminale, Edvin Kristaq Xhelati, dëshmon se jeta e të burgosurit Erion Veliaj në burgun e Fierit është në rrezik tejet serioz.

Ky akt skandaloz dëshmon se SPAK-u nuk po përdoret më si kërbaç vetëm për opozitën dhe mburojë për të korruptuarit, por, më keq akoma, si instrument shantazhi i luftës brenda llojit të bandës në pushtet.

Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe kërcënimin në qeli të të burgosurit Erion Veliaj dhe kërkon hetim urgjent për këtë akt kriminal të Edi Ramës, Toni Gogut, si dhe të hajdutit të damkosur Arbër Hajdari, që kërkon të marrë në rrugë antiligjore dhe antikushtetuese Bashkinë e Tiranës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit