

Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj shtetasit me iniciale B. D., i dyshuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi fshatin Demiraj ku mbetën të vdekur dy pjesëtarë të së njëjtës familje.
Masa e sigurisë është miratuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila po vlerëson rrethanat e krimit të ndodhur në orët e para të datës 1 nëntor. Sipas organit të akuzës, dyshohet se B. D. ka privuar nga jeta djalin e tij, A. D., pas një konflikti fizik të çastit brenda ambientit të banesës së tyre.
Hetimet e mëtejshme kanë nxjerrë në dritë detaje shtesë mbi rrethanat e tragjedisë, ku vajza e mitur me iniciale D. D. është gjetur pa shenja jete me njolla gjaku dhe shenja dhune në dhomën e babait të saj të ndjerë. Grupi hetimor ngre dyshime se edhe vdekja e të miturës është shkaktuar nga vetë babai i saj, A. D., përpara se ky i fundit të qëllohej nga i ati.
Gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit është i nevojshëm për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët apo manipulimit të provave nga i dyshuari. Mbrojtja e palës së dyshuar ka të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






