

Një konflikt mes fqinjëve për zhurmën e muzikës ka përfunduar në mënyrë tragjike në Albuquerque të New Mexico-s, ku një vajzë 16-vjeçare ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri nga një fëmijë 10 vjeç.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën në një kompleks banimi, ku një përplasje verbale mes dy familjeve për shkak të muzikës së lartë u përshkallëzua me shpejtësi në përleshje fizike, duke përfshirë edhe fëmijët e të dyja palëve.
Hetimet paraprake të autoriteteve vendose konfirmojnë se nëna e 10-vjeçarit, 40-vjeçarja Elaina Gomez-Vileda, i ka kërkuar të birit të shkonte në apartament për të marrë pistoletën. Pasi mori armën, fëmija u kthye në vendngjarje dhe qëlloi në kokë 16-vjeçaren Kaiserlein Rangel, e cila kishte ndërhyrë midis dy grave për të shmangur konfliktin. Adoleshentja ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje për shkak të plagës së marrë.
Pas të shtënave, 40-vjeçarja u strehua në banesë bashkë me të birin dhe njoftoi shërbimet e emergjencës duke pretenduar se ishte sulmuar nga fqinjët. Momente më pas, babai i viktimës tentoi të hynte me forcë në apartamentin e të dyshuarve, ndërsa gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë u raportua se pati edhe të shtëna të tjera me armë zjarri.
Policia arrestoi 40-vjeçaren Elaina Gomez-Vileda, ndaj së cilës rëndojnë akuza të rënda si vrasje, komplot për vrasje, keqtrajtim i të miturit dhe neglizhencë për lejimin e aksesit të fëmijëve në armë zjarri. Nga verifikimet e kryera doli se pistoleta e përdorur në këtë ngjarje rezultonte e raportuar më parë si e vjedhur. Ndaj 10-vjeçarit ende nuk është ngritur ndonjë akuzë zyrtare, ndërsa autoritetet po vlerësojnë procedurat e mëtejshme ligjore për shkak të moshës së tij të mitur.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






