

TIRANË, 2 nëntor 2026 – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me gjobitjen e qytetarëve që marrin pjesë në protesta, duke e cilësuar këtë veprim si arbitraritet dhe censurë ndaj lirive themelore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thekson se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe nuk mund të cenohet përmes masave ndëshkuese apo formave të tjera të presionit.
Sipas tij, asnjë autoritet shtetëror nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën dhe të përdorë kompetencat e tij për të ndëshkuar qytetarët për ushtrimin e të drejtave themelore.
“Gjobitja e qytetarëve vetëm dhe vetëm për faktin se ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në një protestë paqësore përbën një akt të rëndë arbitrariteti dhe censure ndaj lirive themelore”, shkruan Bardhi.
Më tej, deputeti i PD-së paralajmëron përgjegjësi për personat që firmosin akte të tilla, duke pretenduar se veprime të tilla përbëjnë vepër penale.
“Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk mund të përdorë autoritetin shtetëror për të ndëshkuar ushtrimin e një të drejte themelore. Cilido që firmos akte të tilla kryen vepër penale. Pengimi i ushtrimit të së drejtës për tubim dhe manifestim nuk mund të mbetet pa përgjegjësi”, përfundon reagimin e tij Gazment Bardhi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






