Transmetuar më 02-11-2026, 16:55

SHBA, 2 nëntor 2026 – Gara për një vend në Senatin amerikan në shtetin e Michiganit është përfshirë nga një zhvillim i papritur, vetëm pak orë para votimit. Ish-rivalja e kandidatit demokrat Abdul El-Sayed në zgjedhjet paraprake, Haley Stevens, ka shpallur publikisht mbështetjen për kandidatin republikan Mike Rogers.

Vendimi i Stevens vjen pas muajsh tensionesh me El-Sayed, i cili e mundi atë me një diferencë të ngushtë në zgjedhjet paraprake të gushtit. Ndonëse deri pak ditë më parë kishte deklaruar se do të votonte për kandidatin demokrat, pavarësisht rezervave ndaj tij, marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan më tej në ditët e fundit të fushatës.

Sipas raportimeve, Stevens ishte parashikuar të merrte pjesë në një aktivitet elektoral të El-Sayed, por nga stafi i kandidatit demokrat i ishte komunikuar se prania e saj nuk ishte e mirëpritur.

Pas këtij zhvillimi, ish-kandidatja demokrate mori pjesë në një shërbesë fetare së bashku me republikanin Mike Rogers, ku më pas bëri publike mbështetjen për të.

“Kandidati ynë demokrat më tha se nuk jam më e mirëpritur në fushatën e tij dhe se duhet të qëndroj larg. Dhe ka të drejtë. Sot, në fakt, shpreh mbështetjen time për Mike Rogers”, deklaroi Stevens.

Vendimi i saj u përshëndet nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili reagoi nga Iowa, duke vlerësuar publikisht qëndrimin e ish-kandidates demokrate dhe duke e ftuar atë t’i bashkohej republikanëve.

Trump sulmoi gjithashtu kandidatin demokrat Abdul El-Sayed, duke përdorur termin “xhihadist” dhe duke bërë një koment lidhur me kontrollin e tij në detektorin e metaleve. Deklarata nxiti reagimin e menjëhershëm të El-Sayed, i cili iu përgjigj me një kundërsulm verbal ndaj presidentit amerikan.

Përplasjet mes Stevens dhe El-Sayed janë thelluar veçanërisht për shkak të qëndrimeve të këtij të fundit ndaj Izraelit. Një tjetër pikë konflikti ishte një reklamë politike, e financuar nga një grup i majtë, ku Izraeli fajësohej për rritjen e çmimeve të ushqimeve në Michigan.

Stevens i kërkoi El-Sayed të distancohej nga reklama, ndërsa ky i fundit e akuzoi ish-rivalen se po rikthente debatet e zgjedhjeve paraprake, në vend që të përqendrohej te sfidat e fushatës aktuale.

Zhvillimi vjen në një moment të rëndësishëm për garën në Michigan, një shtet me peshë strategjike në përpjekjet e demokratëve për të siguruar shumicën në Senatin amerikan. Mbështetja e Stevens për kandidatin republikan shton tensionet në kampin demokrat në prag të votimit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit